
Një rast grabitjeje është raportuar të dielën, më 14 qershor 2026, në Mitrovicë, ku një person dyshohet se është sulmuar fizikisht nga tre persona dhe më pas i është marrë një shumë parash.
Sipas informacionit të publikuar në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:20. Burri që ka raportuar rastin ka deklaruar se tre persona të panjohur e kanë sulmuar fizikisht dhe më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash.
Lidhur me rastin, policia ka identifikuar dhe arrestuar një të dyshuar, i cili është intervistuar nga hetuesit kompetentë. Pas procedurave të nevojshme dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti po vazhdojnë, ndërsa po punohet edhe për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në grabitje, njofton Mitropol.
Policia u bën thirrje qytetarëve që posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në ndriçimin e rastit, t’i raportojnë ato tek organet kompetente./Mitropol/








