
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka bërë një deklaratë të fuqishme lidhur me veprimtarinë e fshehtë të Aleksandar Arsenijeviqit, të njohur si “opozitar” i Listës Serbe, duke zbuluar se ky i fundit është shpërblyer me një banesë në Serbi nga vetë Millan Radoiçiqi.
“Arsenijeviqi, pasi u arratis në Serbi, është strehuar në një banesë në qytetin ‘Vrnjaçka Banja’, të cilën ia dhuroi Millan Radoiçiqi si falënderim për përpjekjet e tij për destabilizimin e Kosovës”, ka deklaruar Musliu.
Sipas tij, edhe pse për publikun Arsenijeviq është paraqitur si aktivist i shoqërisë civile, në prapaskenë ai ka qenë pjesë e agjendave të Beogradit për tensionim të situatës në veri të Kosovës. Ai vazhdon të mbështetet financiarisht nga struktura të jashtëligjshme serbe.
“Gjatë bastisjes së vilës së tij në fshatin Vallaq në muajin qershor, Policia e Kosovës gjeti një arsenal të tërë armësh. Vila ishte ndërtuar nga kompania ‘RAD 028’, e futur në listën e zezë të SHBA-së, e cila me letra menaxhohet nga Radulle Steviq, por në fakt është pronë e Millanit Radoiçiq”, thekson Musliu./rtvdukagjini








