Ngërçi i Kuvendit dhe kriza e legjitimitetit në Kosovë: Një perspektivë përmes teorisë së David Easton

Autor: Arbnor Mjeku
Që nga 9 shkurti i këtij viti, Kosova është futur në një prej krizave më të thella të përfaqësimit dhe funksionalitetit institucional që nga shpallja e pavarësisë. Për më shumë se 5 muaj, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij, një hap thelbësor për konstituimin e institucioneve pas shpërbërjes së mëparshme. Deri më tani, janë bërë mbi 51 përpjekje për zgjedhjen e kryesisë, të gjitha të dështuara për shkak të mungesës së konsensusit politik dhe kalkulimeve të ngushta partiake.
Kjo situatë nuk është vetëm një krizë momentale procedurale. Ajo është simptomë e një problemi më të thellë në sistemin politik të Kosovës, të cilin mund ta analizojmë në mënyrë të qartë përmes teorisë së David Easton mbi funksionimin e sistemit politik. Easton e përkufizon sistemin politik si një mekanizëm dinamik, ku kërkesat, mbështetja dhe presionet nga shoqëria (inputet) hyjnë në institucionet politike dhe dalin në formën e vendimeve, ligjeve dhe politikave (outputet). Sistemi është i qëndrueshëm vetëm nëse arrin t’i përpunojë në mënyrë të vazhdueshme dhe efektive këto inpute në outpute, duke ruajtur besimin qytetar dhe balancën institucionale.
Në rastin tonë në Kosovë, kemi një bllokadë të plotë në prodhimin e outputeve. Qytetarët votuan në një proces të rregullt zgjedhor, duke dhënë inputin e tyre politik përmes përfaqësuesve të zgjedhur. Por institucioni kryesor që duhet të jetë reflektim i këtij vullneti – Kuvendi, është bërë arenë e një konflikti të brendshëm politik, ku interesat e ngushta partiake dhe lojërat taktike kanë zëvendësuar përgjegjësinë institucionale.
Kjo përplasje nuk është vetëm për poste. Ajo po ndodh mbi kurrizin e një rendi demokratik të brishtë, në një kontekst ku sfidat e jashtme (dialogu me Serbinë, siguria në veri, integrimi evropian) kërkojnë institucione funksionale, legjitime dhe përfaqësuese. Moszgjedhja e kryesisë ka prodhuar një vakum institucional, ku asnjë mekanizëm nuk po funksionon si duhet, qysh nga legjislativi te ekzekutivi, e deri te mbikëqyrja e qeverisjes.
Sipas Easton, një sistem politik që nuk arrin të prodhojë vendime bie në një gjendje të rrezikshme që ai e quan erosion i legjitimitetit. Kur outputet mungojnë ose janë jofunksionale, qytetarët e humbin besimin në sistem dhe ndalojnë së dërguari inpute; pra, shfaqet apatia, mosbesimi dhe potencialisht edhe delegjitimimi i të gjithë rendit politik.
Ky është rreziku real që po e përjeton Kosova sot. Në vend të dialogut të brendshëm, kemi ngritje të tensioneve politike. Në vend të një përgjigjeje institucionale ndaj votës qytetare, kemi bllokim të qëllimshëm. Dhe mbi të gjitha, në vend të qeverisjes, kemi paralizë.
Por si do të duhej të vepronte sistemi në këtë fazë, sipas teorisë së Easton?
Së pari, duhet të rikthehet kanali i inputit real dhe i kuptimshëm, pra, partitë politike duhet të veprojnë si përfaqësuese të vullnetit qytetar dhe jo si platforma për pazare të brendshme. Negociatat për formimin e institucioneve duhet të jenë transparente dhe të udhëhiqen nga parimi i mbrojtjes së rendit demokratik, e jo nga interesat afatshkurtra të një grupi të vogël deputetësh apo liderësh.
Së dyti, outputi – vendimmarrja politike, duhet të rikthehet si funksion parësor i institucioneve. Zgjedhja e kryesisë së Kuvendit është një hap minimal, por ky duhet të pasohet nga veprime konkrete për reformim të brendshëm dhe ripërtëritje të funksionit mbikëqyrës të legjislativit.
Së treti, është koha për një reflektim të gjerë shoqëror mbi funksionimin e sistemit tonë politik. Nëse përfaqësuesit e zgjedhur nuk janë të gatshëm ta kryejnë mandatin e tyre, atëherë modeli përfaqësues ka nevojë për një korrigjim të thellë, qoftë përmes reformës zgjedhore, qoftë përmes një kulture të re politike që vendos interesin publik mbi çdo agjendë tjetër.
Kjo krizë nuk është teknike, por thellësisht sistematike dhe strukturore. Teoria e Easton na kujton se një sistem që nuk përpunon më kërkesat e qytetarëve në mënyrë efektive është në rrezik kolapsi. Koha nuk pret: Kosova ka nevojë për institucione që veprojnë, jo vetëm që ekzistojnë.








