NOS: Ky politikan do ta zëvendësojë Stoltenbergun në krye të NATO-s

Televizioni kombëtar holandez, NOS, raportoi të martën se kryeministri në largim i Holandës, Mark Rutte, aleat i palëkundur i Ukrainës dhe kritikues i presidentit rus, Vladimir Putin, do ta zëvendësojë norvegjezin Jens Stoltenberg në postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, pasi Hungaria dhe Sllovakia i ofruan mbështetje atij.
Duke folur në një konferencë për gazetarë krahas sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, në Uashington, Stoltenbergu as nuk e konfirmoi, as nuk e mohoi raportimin e mediave, raporton agjencia “Reuters”.
“Me njoftimin e kryeministrit [hungarez] Orban, mendoj se është e qartë se jemi shumë afër një përfundimi… për ta zgjedhur sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm dhe mendoj se ky është lajm i mirë” – tha Stoltenbergu para gazetarëve, duke e vlerësuar lart Rutten.
“Mendoj se Marku është kandidat shumë i fortë. Ai ka shumë përvojë si kryeministër. Ai është një mik i ngushtë dhe koleg, prandaj besoj fuqishëm se shumë shpejt, aleanca do të ketë vendosur për pasardhësin tim dhe kjo do të jetë mirë për të gjithë ne, për NATO-n dhe gjithashtu për mua” – shtoi ai.
Sekretari i ardhshëm i NATO-s do të ballafaqohet me sfidën e mbajtjes së përkrahjes së aleatëve për luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus, ndërkohë edhe duke pasur kujdes për ndonjë eskalim që do të mund ta tërhiqte drejtpërdrejt aleancën në një luftë me Rusinë.
Gjatë dy vjetëve të luftës në Ukrainë, Rutte ka qenë ndër forcat drejtuese prapa mbështetjes ushtarake të Evropës për Ukrainën, duke e theksuar vazhdimisht atë që ai thoshte se është nevojë absolute për një mposhtje të Rusisë në fushën e betejës për ta siguruar paqen në Evropë.
Nën udhëheqjen e tij, Holanda i ka rritur shpenzimet në mbrojtje, duke i çuar në mbi 2 për qind të prodhimit vendës bruto, prag i kërkuar për anëtarët e NATO-s, duke i ofruar Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16, artileri, dronë e municion si dhe duke investuar fuqishëm në ushtrinë holandeze.
Mbështetja e Ruttes për Ukrainën nënvizohet nga kritikat e tij për Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, përderisa Holanda e mban Moskën përgjegjëse për rrëzimin e një aeroplani civil në lindje të Ukrainës në korrik të vitit 2014, kur kishin humbur jetën 298 pasagjerë e anëtarë të ekuipazhit, 196 prej tyre nga Holanda.
Disa orë para raportimit të televizionit NOS, Hungaria dhe Sllovakia i kishin dhënë mbështetje kandidaturës së Ruttes, duke hequr një pengesë kritike në rrugën e tij drejt postit të lartë në NATO.
Aleanca i merre vendimet me konsensus, prandaj secilit kandidat i nevojitet mbështetja e të gjitha 32 shteteve anëtare. Vetëm Rumania, presidenti i së cilës gjithashtu është në garë për sekretar të NATO-s, është ende zyrtarisht kundër kandidaturës së Ruttes./Nacionale