LAJME

“Nuk do të ketë stacion policie aty”, “S’u besojmë”: Atiqi i jep rreth 3 hektarë tokë MB-së në Mitrovicë të Veriut, serbët kundër

Rreth tre hektarë – përkatësisht 27 mijë metra katrorë – Komuna e Mitrovicës së Veriut ia barti Ministrisë së Brendshme për “nevoja operacionale”.

Në krejt këtë zonë do të mbesin vetëm Stacioni i Autobusëve dhe një Sallë Sportive.

Florenti Company
Market Florenti
Koha

Pjesa tjetër, pronë e MB-së.

Afër asaj që serbët lokalë e quajnë “Remonti Ushtarak” që përdorej nga ish-ushtria jugosllave.

Banorët lokalë kanë nisur kundërshtimin përmes një peticioni – në atë që besojnë se aty do të ndërtohet një bazë për Njësitë Speciale.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin, tregon që vendimi është PUNË E KRYER; që ka kaluar me votë në Asamblenë Komunale dhe s’mund të kthehet mbrapsht.

Kjo hapësirë i është dhënë MB-së për “nevoja operacionale”, thotë Ugljanin; pa e qartësuar se në çka në fakt përkthehet kjo.

Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës për rajon të veriut thotë se “aty s’do të bëhet stacion policie, por qendër rajonale për patentë shofer”.

Sidoqoftë, s’e përjashton mundësinë që në të ardhmen funksioni i saj edhe mund të variojë.

Stefan Veljkoviq nga “Srpska Demokratija” na tregon që kanë mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime në një peticion për ta kundërshtuar këtë alokim të kësaj toke.

Shqetësohen se “do të ndërtohet bazë e njësisë speciale”.

Thotë se është futur në rend të ditës në votim në Kuvendin e Komunës “pa e ditur kush” dhe “pa kurrëfarë konsultimi publik” dhe se “kjo nuk është në interesin publik të qytetarëve të Mitrovisë së Veriut”.

Veljkoviq argumenton se komuna e udhëhequr nga Erden Atiq, i zgjedhur me 500 vota, “nuk ka legjitimitet” për të marrë vendime kaq të mëdha dhe se ka nënshkrime ka katër-fish më shumë qytetar që e kundërshtojnë këtë.

Mes tjerash ai nuk i beson asaj që thuhet nga autoritetet shtetërore kosovare se aty do të bëhet qendër rajonale për patentë shofer. Është i bindur se do të jetë bazë për njësinë speciale.

Ai ka zgjedhur rrugën ligjore siç parashihet në Nenin 71 të Ligjit për Vetëqeverisje lokale. Megjithatë, në çka do të konkludohet kjo, është jo vetëm e paqartë: por, edhe rrugë ligjore pa krye.

Ngase në atë paragraf ku thirren shkruhet “t’i nënshtrohet referendumit” ndërsa Kosova nuk ka ligj për Referendum.