“Nuk kam sharë” – Drilon Hajrizi reagon pas akuzave të KB Peja, thotë se ia kanë borxh 15 mijë euro

Pas reagimit publik të KB Peja, ku u kritikua ashpër sjellja e një lojtari të KB Trepça gjatë përballjes mes dy skuadrave, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e drejtpërdrejtë nga protagonisti i përmendur – Drilon Hajrizi, njofton Mitropol.
Në një reagim publik, Hajrizi ka mohuar kategorikisht se ka sharë drejt bankës apo lojtarëve të Pejës, duke theksuar se veprimi i tij ka qenë një reagim emocional ndaj fyerjeve që, sipas tij, i janë bërë nga tifozët.
Në reagimin e tij, Hajrizi shkon edhe më tej, duke ngritur një çështje financiare ndaj ish-klubit të tij, KB Peja, për të cilin pretendon se i ka një borxh prej 15 mijë eurosh.
Ky zhvillim vjen në kulmin e tensioneve të rritura mes tifozërive dhe rivalitetit sportiv ndërmjet KB Peja dhe KB Trepça, një rivalitet që kohëve të fundit ka kaluar edhe përtej parketit.
Postimi:
Të dashur dhe të respektuar qytetarë,
Nuk kam sharë, nuk është në natyrën time! Është e vërtetë se e kam ofenduar në shenjë revolte njërin prej orkestruesëve të sharjeve në kor ndaj meje në Pejë, por assesi lojtarët e aq më pak klubin.
Kontributi im për KB Pejën është i madh. Atë e dijnë tifozët e vjetër, Shqiponjat e vërteta. Këta që janë vërsulur ndaj meje, duan që kështu të zhvendosin vëmendjen dhe të fshehin palarat e tyre. Në vend se të merreni me këto marrina ma ktheni borxhin prej 15,000 Eurove!
Ja sharjet e orkestruara në kor ndaj meje. Paramendoni, ndaj njeriut që dha aq shumë për klubin e KB Pejës!
I juaji,
D.H. 12








