Parandalohen dy raste të kontrabandës me mallra në Leposaviq – sekuestrohen ushqim, pije e çokollata

Dy ditë më parë, Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë realizuar një aksion të përbashkët në rajonin e Leposaviqit, shkruan Mitropol.
Gjatë patrullimit në zonë, njësitë kanë hasur një automjet të braktisur në një rrugë anësore, i hapur dhe pa shofer.
Brenda tij u gjetën thasë plastikë dhe një sasi e konsiderueshme çokollatash të markave Snickers dhe Kinder, të mbuluara me letër kartoni.
Automjeti ishte pothuajse i mbushur plotësisht me mallra dhe është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës.
Ndërkaq, në rastin e dytë njësitë antikontrabandë ndaluan një automjet tjetër që transportonte pako me mallra të ndryshme.
Pas kontrollit u konstatuan kryesisht produkte ushqimore, pije joalkoolike dhe artikuj higjienikë, për të cilat shoferi nuk posedonte dokumentacion ligjor.








