Parcelat që po planifikon t’i shpronësojë Qeveria në detyrë për ndërtimin e urës mbi Ibër

Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti ka miratuar të premten vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të disa parcelave për të mundësuar ndërtimin e urës mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën Veriore dhe Jugore. Sipas vendimit, planifikohet të shpronësohen gjithsej 11 parcela.
Vlera e kompensimit të pronave i është lënë në dorë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Mjetet financiare për pagesën e shpronësimit dhe obligimeve tjera që mund të rrjedhin si rezultat i procesit të shpronësimit do të sigurohen nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Departamentin e Shpronësimit (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në vendim.
Pronarë të parcelave që do të shpronësohen janë: P.SH TE MIRAT E UJRAVE, Komuna e Mitrovicës Veriore, Naim Jashari, Zika Miftari dhe Ahmet Atiq.

Nga Komuna e Mitrovicës Verirore do të shpronësohen katër parcela, nga Miftari dy dhe nga Atiq dy.
Qeveria në detyrë ka thënë se do të mbajë një dëgjim publik lidhur me shpronësimin e propozuar për Zonat Kadastrale: Mitrovicë e Veriut , Komuna Mitrovicë e Veriut.

“Të gjithë personat të cilët janë zyrtarë publik të Komunës në të cilën mbahet dëgjimi publik apo pronarë ose zotërues të interesit në pronën e cila gjendet brenda kësaj Komune ose avokat apo përfaqësues të ligjshëm të këtyre personave, kanë të drejtë të marrin pjesë në dëgjimin publik.
Çdo person i lartpërmendur do t’i jepet mundësi e arsyeshme për t’i shprehur mendimet e tij/saj gojarisht lidhur me shpronësimin e kërkuar në përputhje me paragrafët 2 deri 4 të nenit 9 të Ligjit nr. 03/L-139 datë 26.03.2009 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme me ndryshimet dhe plotësimet e bëra me Ligjin Nr. 03/L-205 datë 28.10.2010”, theksohet në vendim.

Ndryshe, projekti për ndërtimin e dy urave është vënë nën hetim nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.
Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë informacione të tjera./
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës në faqen zyrtare të prokurimit publik, kostoja e këtij projekti është gati 3 milionë euro.
Kontrata është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, ku është negociuar me pesë kompani.
Oferta më e ulët ka qenë 2 milionë e 890 mijë e 106 euro, teksa më e larta 3 milionë e 420 mijë e 764 euro.
Pas negocimit, me kontratë është shpërblyer kompania “Eurokos Holding SH.P.K”, që ka ofertuar me çmim në vlerë 2 milionë e 999 mijë e 628 euro, që ka qenë e dyta në renditje nga çmimi më i ulët.
Kompania me çmimin më të ulët është eliminuar për mospërmbushje të kritereve.
Kohëzgjatja e kontratës është për 4 muaj./Reporteri








