Pas arrestimit të dy bashkëpunëtorëve dhe pas disa muajsh në arrati, prangoset i dyshuari i tretë për “vjedhje të rëndë” në Vushtrri

Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut kanë vënë në pranga një 26-vjeçar nga Vushtrria, i cili dyshohet se është i përfshirë në një rast të “vjedhjes së rëndë” të ndodhur në muajin mars të këtij viti.
Sipas informacioneve të Policisë, i riu, shtetas i Republikës së Kosovës, u kap pas një pune të gjatë hetimore, që përfshiu mbledhjen e provave materiale dhe intervistimin e disa personave. Hetimet kishin nisur menjëherë pas denoncimit të një rasti të vjedhjes në një shtëpi private në rrugën “Skënderbeu” në Vushtrri, ku autorët dyshohet se kishin marrë sende me vlerë të konsiderueshme.
Burime policore bëjnë të ditur se dy bashkëpunëtorët e tij ishin arrestuar që në muajin korrik, ndërsa i dyshuari i tretë kishte arritur t’i shmangej policisë deri më sot. Pas një operacioni të planifikuar, ai është lokalizuar dhe arrestuar në vendbanimin e tij në një nga fshatrat e komunës së Vushtrrisë.
Pas ndalimit, i dyshuari është dërguar për intervistim në stacionin policor dhe më pas, me urdhër të prokurorit të rastit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë në drejtim të zbardhjes së plotë të rastit dhe identifikimit të mundshëm të personave të tjerë të përfshirë./Mitropol/








