02SPORT

Pasi ia siguroi Ligën Unike, Edge i gatshëm ta udhëheqë Trepçën edhe drejt titullit

Golden Eagle Ylli udhëhoqi thuajse tërë ndeshjen dhe tre minuta para fundit kishte epërsi prej pesë pikësh, 63:58.

2:55 minuta para fundit, Darnell Edge realizoi dy gjuajtje të lira për 63:60. Ylli u shkëput sërish në 65:60. 58 sekonda para fundit, Edge shënoi për dy pikë për të ngushtuar rezultatin në 65:62. Shënoi edhe për të afruar rezultatin në 65:64. Suharekasit në aksionin pasues shënuan një gjuajtje të lirë për 66:64.

Market Florenti
Florenti Company
Koha

Aksioni ishte për Trepçën dhe Edge, që deri në minutat e fundit nuk e kishte mbrëmjen më të mirë, mori përgjegjësinë sërish. 11 sekonda para fundit realizoi treshe të bukur për epërsinë 67:66 të Trepçës. Ylli nuk realizoi si duhet sulmin për sekondat e mbetur dhe kështu fitorja i takoi Trepçës. Trofeu i Ligës  Unike po ashtu.

Edge e përfundoi ndeshjen me 25 pikë, tri kërcime e dy asistime. Por shpërthimi i tij në minutat e fundit ishte vendimtar në finalen mes Trepçës dhe Golden Eagle Yllit, të zhvilluar të dielën mbrëma në Vlorë.

Fundori amerikan u shpall lojtari më i vlefshëm i Final 8  të Ligës Unike.

Liga e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë u riaktivizua në Final 8, me synim që prej edicionit të ardhshëm të vazhdojë si ligë e rregullt.

Trepça, por edhe Ylli, tani i kthehen garës për titull të Superligës së Kosovës. Është trofeu kryesor prej shumë që ndahen në basketbollin kosovar. Dy skuadrat takohen menjëherë në mesjavë në Suharekë në kuadër të xhiros së fundit të stinorit të rregullt.

Trepça tashmë e ka siguruar pozitën e parë për plejof.

Dhe Edge, që skuadrës iu bashkua në nëntor, është i gatshëm të udhëheqë mitrovicasit drejt titullit që e presin prej vitit 2012.

“Duke hyrë në ndeshje kam pritur luftë. Tek Ylli janë një grup i djemve të talentuar dhe të ushtruar mirë. Na ka munguar kontinuiteti dhe u futëm në pesë minutat e fundit duke ndjekur rezultatin. Por bëmë përmirësimet e duhura dhe në fund i patëm disa gjuajtje të mëdha”, ka thënë Edge të hënën për KOHËN.

Ai mori përgjegjësinë në fund dhe vendosi ndeshjen.

“Vetëm vendosa të marr përgjegjësi dhe të luftoj deri në fund. Identifikova disa gjëra, që mendova se ishin pika të dobëta në mbrojtjen e tyre, e prej të cilave mund të përfitonim. Kam sulmuar aty me idenë që në fund të kemi gjuajtjen për fitore”, ka treguar Edge.

26-vjeçari është i gjatë 188 centimetra dhe luan në pozitën e fundit. Pas karrierës në NCAA luajti në elitën e Polonisë dhe të Ukrainës. Më pas për dy edicione ishte në kategorinë e dytë të Turqisë. Te Trepça erdhi pa shumë bujë, por shpejt u shndërrua në njërin prej fundorëve më të mirë në ligë.

Në Superligë po luan me mesatare prej 18,5 pikëve e 6,1 asistimeve për ndeshje.

“Në fillim kisha dilema nëse duhej të vija në Kosovë. Nuk isha i sigurt për nivelin e ligës. Por u informova se sa shumë është rritur basketbolli në vitet e fundit dhe vendosa që është lëvizje që mund ta bëj”, ka thënë Edge. Ai nuk ka pritur që gjërat do të ecin kaq mirë te Trepça.

“Jemi në seri prej 27 fitoreve, duke llogaritur të gjitha garat. Nuk kam pritur të kemi këtë ecuri, por jam mirënjohës për djemtë që kemi. Kemi vazhduar të punojmë shumë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Dhe, po ashtu, kemi pasur përkrahje shumë të madhe nga qyteti dhe nga tifozët”.

Amerikani Edge tani është i lumtur që vendosi të vazhdojë karrierën në Kosovë.

“Më pëlqen vendi, njerëzit dhe tifozët, sidomos të Trepçës. Më kanë pritur shumë mirë dhe më kanë ofruar dashuri që kur erdha në javën e parë të nëntorit”, thotë Edge.

Ai pranon se synimi i madh i Trepçës është titulli i kampionit. Si ekip, thotë se “vetëm duhet të vazhdojmë të punojmë shumë në detaje dhe të përmirësohemi”.

“Kështu do të jemi gati për të luftuar për synimin e madh, që është titulli. Ne kemi një grup shumë të mirë, duke përfshirë lojtarët dhe stafin. Nuk kemi probleme me egon, secili dëshiron të jemi të suksesshëm dhe kjo është specifikë e skuadrave të mëdha. Kemi talentin dhe përvojën dhe kjo bën që të kemi pak dallim me skuadrat e tjera”, ka theksuar Edge.