Pellini
02LAJME

Polici i plagosur në veri mori plumb në kraharor, ndodhet ende në Spitalin e Mitrovicës, do niset në QKUK

Të enjten mbrëma, një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur gjatë një sulmi ta armatosur në veriun e Kosovës. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit. Polici, menjëherë, me ekipe emergjente, është drejtuar për në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

E të premten, drejtoresha e këtij spitali i dha hollësi Nacionales për gjendjen e policit.

Premium Store

Sipas saj, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën. Ai është goditur me një plumb në kraharor. Plumbin e ka ende në trup. Si rrjedhojë, polici duhet tranferuar për në QKUK për ndërhyrje mjekësore.

Mbrëmë ka ardhë polici i plagosur. Gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik. E ka plumbin në kraharor- në shpatull. Pritet me u transferu në Prishtinë për intervenim. Përndryshe gjendja e tij është e mirë stabile“- i tha Nacionales drejtoresha e spitalit.

Ndërkohë, kujtojmë se Policia e Kosovës njoftoi mbrëmë se njësitë që ishin në detyrë, “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM”.

Si pasojë e incidentit, një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë.

Policia njoftoi se njësitet relevante policore kanë dalë në vendngjarje për t’i kryer hetimet, kurse zyrtari policor i lënduar është transportuar në spital për t’i ofruar ndihmë mjekësore.

Sulmi ka ndodhur pak orë pasi Policia e Kosovës e shtoi praninë e saj në atë pjesë të Kosovës, ku ditëve të fundit janë shpeshtuar incidentet, por pa pasoja në njerëz.

Kujtojmë se pas vendosjes së policëve në Lagjen e Boshnjakëve, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar, duke ngritur edhe pretendime të çuditshme dhe duke shprehur fjalë nxitëse.

Petkoviqi ka deklaruar se Serbia “do ta shqyrtojë dërgimin e 1.000 forcave të saj të sigurisë” në Kosovë dhe, sipas tij, ky veprim do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Petkoviqi propagandoi se 300 deri në 350 policë të Kosovës – përfshirë pjesëtarë të forcave speciale ROSU – “kanë pushtuar dhe bllokuar”Mitrovicën e Veriut.

E ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të enjtën në orët e vona, në një intervistë për RTK-në, ka folur rreth numrit në rritje të policëve në Mitrovicë të Veriut. Siç ka thënë ai, ndër të tjera, ky numër është rritur në disa vende të Mitrovicës së Veriut, ndërsa synim të vetëm e ka rritjen e sigurisë për të gjithë banorët e asaj ane pa dallim.

“Është e vërtetë që, sipas planeve operacionale të policisë, është rritur numri i policisë në disa lokacione e kjo ka ndodhur për shkak të sulmeve të personave të paidentifikuar, të dyshuar, pra i kanë prishur rendin dhe qetësinë. Me qëllim që rendi dhe ligji të kthehen në atë zonë, t’u garantohet qytetarëve siguri në vendbanimet e tyre, është marrë vendim që të rritet numri i policëve në atë pjesë”- tha ai.

“Për shkak të ndodhive të netëve të fundit, siç edhe e ceka më herët. Policia i bën vlerësimet e sigurisë. Në bazë të këtyre vlerësimeve, e ka parë të arsyeshme. Krejt kjo është të ofrojnë siguri për të gjithë banorët. Pa qëllime të tjera. Veç siguri për banorët. Sipas informatave nga menaxhmenti, ka të bëjë me disa lokacione në Mitrovicën e Veriut. Ajo që dua të them, është se situata është relativisht e qetë”- tha fillimisht Sveçla.

E gjithë këto incidente në pjesën veriore, pra në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kanë ardhur si pasojë e zgjedhjeve që pritet të mbahen më 18 dhjetor. Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, e kundërshton mbajtjen e tyre.

Koha