Premium Store
LAJME

Policia e Vuçiqit ndalon edhe një politikan serb në Merdar, nuk i lejohet të hyjë në Serbi

Kryetari i Lëvizjes “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka deklaruar se sot rreth mesditës është ndaluar në mënyrë të ngjashme si Rada Trajkoviq në vendkalimin kufitar në Merdar dhe se pjesëtarët e Policisë së Serbisë nuk e kanë lejuar të hyjë në Serbi nga territori i Kosovës.

Bogdanoviq ka deklaruar për “N1” se e kishin nxjerrë nga autobusi që qarkullonte në linjën Graçanicë-Beograd dhe se policët i kishin dhënë dy mundësi, të priste vendimin për të në vendkalim ose të kthehej në Kosovë.

Dukato 1

“Mu afruan pjesëtarë të policisë, ishin shumë profesionistë, më thanë që duhej të dilja nga autobusi dhe të nxirrja edhe gjërat e mia. Me mua udhëtonte edhe Marija Iliq, drejtoresha politike e ‘Odgovor’, e cila u solidarizua me mua dhe doli nga autobusi. Në ambientet e policisë më kontrolluan sendet e mia, pa presion. Më thanë se kishte një urdhër që të isha këtu, pa shpjeguar pse. Kjo është e njëjta mënyrë si është arrestuar edhe Rada Trajkoviq”, ka thënë Bogdanoviq.

Ai deklaron se do të qëndrojë në ambientet e policisë në vendkalimin kufitar, pasi siç thotë, se Serbia është atdheu i tij, nuk mendon të kthehet në Kosovë dhe se po i mohohet e drejta themelore e njeriut për lirinë e lëvizjes.

“Arsyeja e ndalimit tim në vendkalim është konferenca për media që u mbajt në Kosovë së bashku me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, si dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte shumë konstruktiv. Kurti tregoi respekt për organizatën politike që unë drejtoj dhe regjistrimi i ‘Odgovor’ në Kosovë është duke u bërë”, tha Bogdanoviq.

Ai vlerësoi se ndalimi i tij është “revanshizëm politik ndaj kujtdo që kundërshton politikën e Beogradit zyrtar”.

Bogdanoviq theksoi se ka probleme me disa sëmundje dhe se për secilin rast është dashur të thirrej ekipi mjekësor i urgjencës.

“Do të pres që shërbimin e urgjencës të bëjnë ekzaminimet dhe më pas do të flas me një nga efektivët e policisë ose të Agjencisë Serbe të Sigurisë. Kjo është e njëjta torturë si me Rada Trajkoviqin. Kështu mund të mbahem maksimumi 28 orë”, ka përfunduar Bogdanoviq./insajderi/

Dukato 1