
Grupi Multietnik në Kuvendin e Kosovës nuk beson se zgjedhja e Emilija Rexhepit si nënkryetare kuvendi mund të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe të kthehet në votim në pako me kandidatin serb.
Jo vetëm këtë, por krejt ankesën e Listës Serbe, këta deputetë të pakicave joserbe me komente i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të mos merret për bazë. Madje, thonë se ky është skenari i parë.
Elbert Krasniqi, kryetar i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës, thotë se votën e tij nuk mund ta marrë asnjë deputet i Listës Serbe, e hiç më pak Sllavko Simiq, që thotë se është përgjegjës për sulmin ndaj eskortës së tij e gazetarëve në Leposaviq, derisa është i sigurt se i shërben Milan Radoiçiqit.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal pranon se kërkesa për të ndarë propozimin e tyre prej serbëve qe e dakorduar me Vetëvendosjen.
Pos tyre, për lëndën e Listës Serbe në kushtetuese, komente dërguan edhe presidentja, kryeparlamentari e Vetëvendosja.







