
Sot është duke u mbajtur konferenca përgatitore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Siç ka bërë të ditur Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës, deri më tani janë siguruar mbi 300 persona që do të dëshmojnë kundër krerëve të UÇK-së e madje në procesin e gjykimit do të përmenden mbi 40 vende ku pretendohet të jenë kryer krimet, shkruan “Mitropol”.
Që proceci gjyqësor të jetë i drejtë, prokuroria ka potencuar se i duhen rreth 600 orë për paraqitje të provave, të cilat me gjasë do zgjasin deri në fillim të 2025-tës.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar që procesi gjyqësor të mos zgjasë pafund dhe i ka kërkuar gjykatës që të shkurtojë kohën e paraqitjes së provave nga prokuroria.
Datë të saktë për nisjen e procesit gjyqësor nuk ka, ani se herë pas here është përmendur që të fillojë në mars.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të 2020-tës pasi që akuzohen për krime lufte.








