Premium Store
02KOSOVËLAJME

Prokuroria Themelore e Mitrovicës konfirmon raportimin e Mitropol për rastin e vrasjes në Skënderaj, babë e bir gjuajtën viktimën

Dje gjatë ditës “Mitropol” raportoi ekskluzivisht për detajet e vrasjes së rëndë që ndodhi në lokalin “Boss Bar” në sheshin e Skënderajt, rast ky që ka tronditur qytetarët në mbarë Kosovën.

Viktima e gjuajtjeve me plumba ishte 42 vjeçari, Ismet Ibishi, tanimë i ndjerë. Ibishi u vra nga familjarët e tij, më saktësisht djali i axhës së tij me të birin.

Premium Store

”Mitropol” raportoi ekskluzivisht dje se të arrestuarit, 33-vjeçari me emrin Bujar Ibishi dhe babai i tij, 61-vjeçari me emrin Hisni Ibishi të dy kishin shtënë në drejtim të viktimës, duke i shkaktuar disa plagë.

Ky raportim ekskluziv i Mitropol u konfirmua sot edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës e cila bëri kërkesë për caktim paraburgimi për vrasjen e rëndë në Skenderaj.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurit H.I., dhe B.I., pasi ekziston dyshimi i bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 e lidhur me nenin 31, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në kërkesë.

”Me datë 12 shkurt 2025 në një lokal në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj, të pandehurit, së bashku e të vetëdijshëm për veprimet e tyre, me dashje e privojnë nga jeta tani të ndjerin I.I., ashtu që derisa viktima ishte duke pirë kafe në lokal, të pandehurit posa hyjnë në lokal i nxjerrin armët dhe shtijnë në drejtim të ndjerit I.I, dhe goditjet rezultojnë vdekjeprurëse për të ndjerin.”, sqaron tutje prokuroria.

Të pandehurit, me aktvendim të prokurorit të shtetit gjenden në ndalim nga data 12 shkurt 2025.

Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve pritet të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë./Mitropol/

Premium Store