Pse u mbyll Ura e Ibrit dhe çfarë synohej përtej?

24 qershori i vitit 1999, shënon ditën kur mbi lumin Ibër të Mitrovicës u vendosën tela me xhemba, dhe që nga ajo ditë kjo urë nuk u hap më, shkruan Mitropol.
Këtë veprim e morrën forcat franceze që ishin të vendosura në veri të vendit në atë kohë.
Ndërkaq, edhe pse kanë kaluar gati 26 vite nga lufta e fundit në Kosovë, ende ekzistojnë bindje të ndryshme në lidhje me arsyen se pse u morr ky hap për mbylljen e urës.
“Serbia synonte që ta mbante nën kontroll pjesën veriore dhe kur te vjen puna në negociatat e statusit final të tentojë ta shkëpusë këtë pjesë nga Kosova”, thekson analisti politik, Arbnor Sadiku.
Nga ana tjetër, sipas gazetarit serb, Branislav Kërstiq thuhet se ky vendim ishte ” tepër i nevojshëm për atë kohë”.
Mirëpo, ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea i ka hedhur poshtë idetë se bëhej fjalë për një plan ndarjeje.
” E dini, qëllimi i NATO-s ishte Kosova brenda kufijve të saj administrativë si një vend multietnik, por që të ofrojë njëfarë sigurie të paktën për popullatën në veri deri në momentin kur gjërat të zgjidhen dhe, natyrisht, Kosova mund të lëvizë përpara”, është shprehur ai tutje.







