Punëtorët shëndetësorë në Mitrovicë protestojnë kundër sulmit fizik ndaj infermierit të Urgjencës së QKMF-së

Punëtorët shëndetësorë të Mitrovicës zhvilluan sot një protestë paqësore për të dënuar sulmin fizik ndaj një infermieri të Urgjencës së QKMF-së, i cili u sulmua nga një qytetar gjatë detyrës.
Protesta u mbajt nga ora 11:00 deri në 11:30, para objektit të QKMF-së dhe të gjitha QMF-ve e AMF-ve të qytetit, si shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për kolegun e tyre të lënduar.
Në protestë mori pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, ndërsa fjalën kryesore e mbajti Halide Istrefi Sadiku, shefe e Sektorit të Mjekimit Urgjent të QKMF-së.
Në fjalimin e saj, Sadiku theksoi se dhuna ndaj personelit shëndetësor është e papranueshme dhe përbën sulm ndaj vetë humanitetit:
“Askush që vesh uniformën e bardhë nuk duhet të ndihet i rrezikuar aty ku shërben me përkushtim dhe dinjitet. Kërkojmë drejtësi për kolegun tonë dhe masa konkrete për të garantuar sigurinë e çdo punonjësi shëndetësor.”








