Rreth 200 fletushka që bëjnë “thirrje për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës” u shpërndanë në veri
Në vazhdën e hetimeve që janë iniciuar së fundmi për disa raste të nxitjes së urrejtjes dhe përçarjes, Policia e Kosovës ka nisur hetimet edhe për një rast tjetër në Mitrovicë të Veriut, ku persona ende të panjohur, kanë shpërndarë fletushka të ndryshme që bëjnë “thirrje për rezistencë” dhe “nxitje të urrejtjes”.
Partia kryesore e serbëve në Kosovë ka thënë se me veprime të tilla, po tentohet të fajësohen serbët “për incidente të reja të mundshme”.
Siç mëson Sinjali, rreth 200 fletushka u shpërndanë në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme, në të cilat kishte mbishkrime se si të sulmohet Policia e Kosovës.
Ndryshe, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka deklaruar se dyshohet se këto fletushka u shpërndan “dje gjatë dhe pas protestës”.
Fletushkat, që janë nënshkruar nga “Mbrojtja Popullore”, të cilat janë shpërndarë në kanale të ndryshme në Telegram, përmbajnë udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës.
Ndër të tjera, në këto fletushka, thuhet se Policia e Kosovës duhet të qëllohet me ndonjë mjet, të pështyhen pjesëtarët policorë e të ofendohen. Pastaj, të thyhen makinat policore me ndonjë mjet, si dhe jepen instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe të ngjashme.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u bëri thirrje qytetarëve në veri që “të mos bien pre e provokimeve të tilla”.
Sipas kësaj partie, kushdo që i ka bërë këto veprime, ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë “në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme”.
Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.