Rutte nga Samiti i NATO-s: Aleanca po hyn në epokën e investimeve të mëdha për mbrojtje dhe unitet kundër kërcënimeve globale

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në konferencën hapëse të Samitit të NATO-s që po zhvillohet në qytetin e tij të lindjes, Hagë, ka theksuar rëndësinë historike të këtij samiti dhe vendimet që do të merren për të përballuar sfidat në rritje të sigurisë ndërkombëtare, shkruan Mitropol.
Ai deklaroi se Aleanca është përballë një momenti kyç për sigurinë euroatlantike dhe botërore, me kërcënime në rritje nga Lindja dhe sfida të reja që kërkojnë vendime të guximshme dhe bashkëpunim të thelluar mes aleatëve.
Investime të reja – 5% e PBB-së për mbrojtje
Një nga pikat kyçe samitit është plani i ri i investimeve në mbrojtje, që parasheh ngritjen e kufirit të shpenzimeve në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rutte tha se ky është një hap i madh historik, që synon të forcojë mbrojtjen kolektive, të krijojë më shumë vende pune dhe të nxisë bashkëpunimin industrial në të dy anët e Atlantikut.
Ai përmendi se në fillim të vitit 2025, shtatë ose tetë vende nuk i përmbushnin ende angazhimet e mëparshme për 2% të PBB-së, por tashmë të gjitha vendet anëtare i kanë përmbushur këto objektiva.
“Kërcënimet që përballemi sot kërkojnë që të bëjmë shumë më tepër për të siguruar që mund të parandalojmë dhe mbrojmë në mënyrë efektive”, deklaroi Rutte.
Rritje e kapaciteteve ushtarake
Plani i ri përfshin:
• Pesëfishim të mbrojtjes ajrore, për t’u përballur me sulmet ajrore si ato që shihen çdo ditë në Ukrainë;
• Mijëra tanke dhe automjete të blinduara për të ruajtur aftësinë luftarake dhe manovrimin;
• Miliona fishekë artilerie, për të krijuar rezerva strategjike që parandalojnë çdo agresion të mundshëm.
Rutte bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë me industrinë e mbrojtjes, duke theksuar se furnizimet aktuale nuk i plotësojnë kërkesat e reja të Aleancës. Ai paralajmëroi për mungesa të theksuara dhe nevojën urgjente për të rritur prodhimin.
“Po dërgojmë një sinjal të qartë – industria duhet të reagojë, dhe të reagojë shpejt,” tha ai.
Mbështetje e fortë për Ukrainën dhe kundër Rusisë
Rutte konfirmoi se NATO mbetet e palëkundur në mbështetjen për Ukrainën, duke e cilësuar Federatën Ruse si kërcënimin më të madh dhe më të drejtpërdrejtë ndaj Aleancës. Ai denoncoi bashkëpunimin ushtarak të Rusisë me Korenë e Veriut, Iranin, Kinën dhe Bjellorusinë në luftën kundër Ukrainës.
Ai njoftoi gjithashtu se vendet evropiane dhe Kanadaja do të sigurojnë mbi 35 miliardë euro ndihmë për Ukrainën gjatë vitit 2025, një rritje e konsiderueshme nga 20 miliardët e planifikuara fillimisht.
“Kjo është një arritje e madhe”, theksoi ai.
Partneritet global dhe qëndrim i qartë i Aleancës
Në përfundim, Rutte theksoi se NATO mbetet një aleancë mbrojtëse, por me vendosmërinë dhe gatishmërinë për të reaguar me forcë ndaj çdo kërcënimi.
Ai vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët në Indo-Paqësor, Bashkimin Evropian, dhe industrinë e mbrojtjes, për të ruajtur përparësinë teknologjike të Aleancës.
Samiti i NATO-s në Hagë po vazhdon me takime të nivelit të lartë, përfshirë Forumin Publik të NATO-s dhe Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, ku priten vendime konkrete për të ardhmen e sigurisë euroatlantike.
Samiti i Aleancës Veri-atlantike zhvillohet në Forumin Botëror me pjesëmarrjen e krerëve të 32 shteteve anëtare, mes të cilëve edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Samiti do zgjasë dy ditë, më 24-25 qershor.
Gazetari i Mitropol, Urall Boshnjaku do jetë i vetmi gazetar i akredituar nga mediet shqipe nga Kosova që do mbuloj drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht ngjarjen që konsiderohet si ngjarja kryesore e sigurisë në botë./Mitropol/








