LAJME

Salla për operimin e venave që Vitia e prezantoi si të re ishte përuruar në vitin 2020 nga Uran Ismaili

Salla të cilën e prezantoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për operimin e venave kinse si të re të martën, ishte bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili në vitin 2020.

Përmes një video të publikuar, Vitia këtë sallë të operimit e ka prezantuar si të re dhe si punë të tij duke thënë se tashmë do të ketë edhe zvogëlim të listës së pritjes, por e njëjta rezulton se ishte përuruar nga Ismaili në kohën sa ai ishte kreu i këtij dikasteri.

Florenti Company
Koha
Market Florenti

“Nga një sallë në dy salla në neurokirurgji, nga një sallë në dy salla në Vaskulare, ku njëra nga sallat është vetëm për operim të venave, që do të ketë një impakt të menjëhershëm në zvogëlimin e listës së pritjes”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq, nga ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ishte thënë se Kirurgjia Vaskulare në atë vit ishte bërë për herë të parë me sallën e tretë operative dhe me të gjitha paisjet moderne.

“Me ndërtimin e sallës së tretë dhe modernizimit të sallave ekzistuese, do të dyfishohet numri i operacioneve me qëllim që të eliminohet lista e gjatë e pritjes. Pas rinovimit të shumë klinikave dhe heqjes së shumë listave të pritjes, tani po përmirësojmë kushtet edhe në Kirurgjinë Vaskulare”.

“Investimet tona me qendër qytetarin janë shtuar vazhdimisht për vetëm një qëllim. Që ata të mos detyrohen të orientohen më në institucione private për hallet e tyre”, kishte shkruar Ismaili më 16 janar të 2020-së.

Në shumë prej klinikave të Qendrës Klinikë Unviersitare të Kosovës, pacientët duhet të enden për shkak të prishjes së aparaturave, në disa të tjera aparaturat janë moderne dhe funksionale, por nuk ka kush të operojë me to.

Nëse në klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së do të punësoheshin vetëm katër specialistë, më nuk do të kishte listë të pritjes prej 3.5 vjetësh e nuk do të duhej të dërgoheshin afër 40 veta jashtë Kosovës për shërim që kushton mbi 1 milion euro.

Punësimi i katër mjekëve do të ishte një zgjidhje e menjëhershme, efikase dhe jo e kushtueshme, por Ministria e Shëndetësisë po refuzon – për arsye që askush nuk i bënë të qarta – që t’i punësojë këta katër profesionistë.

Këtë nevojë urgjente e ka prezantuar për herë të fundit para organeve me 6 maj 2023 edhe Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, por nuk i është përgjigjur askush pozitivisht.

Derisa specialistët që nevojitën në klinikë po mbesin në pritje pa punë, me rrezikun që të largohen nga Kosova e të punësohen në ndonjë vende të Perëndimit.