Premium Store
02KOSOVËLAJME

Serbia kërkon lirimin e Popoviqit

E ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se ka informuar menjëherë Brukselin lidhur me ndalimin e zëvendësdrejtorit të saj, Igor Popoviq, nga autoritetet e Kosovës, duke kërkuar njëherazi lirimin e menjëhershëm të tij dhe mbrojtjen nga misionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Mitropol” se Popoviq është ndaluar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë, pasi dyshohet për veprën penale të “nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit”.

Active

Sipas autoriteteve, gjatë një fjalimi të mbajtur në fshatin Hoqë e Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe e ka krahasuar atë me ngjarje të rënda ndërkombëtare.

Në një reagim zyrtar, e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë deklaroi se Popoviq kishte marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore për serbët e vrarë në zonën e Rahovecit në vitin 1998, dhe pretendon se ndalimi i tij është bërë për shkak të deklaratave të dhëna pas kësaj ngjarjeje. “Ai vetëm i ka quajtur me emrin e vërtetë ata që kanë vrarë 47 serbë dhe romë dhe kanë rrëmbyer mbi 100 civilë të pafajshëm gjatë korrikut të vitit 1998,” thuhet në reagimin e kësaj zyre, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po përpiqet të provokojë një krizë të re në terren.

Ndërkohë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se Kosova, si shtet sovran dhe demokratik, nuk do të lejojë fyerje ndaj historisë apo përdhosje të luftës së UÇK-së. “Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare,” deklaroi Sveçla.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një forcë politiko-ushtarake që luftoi për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb gjatë viteve 1990-1999. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve kanë reaguar ashpër ndaj pranisë së bashkëpunëtorit të Petar Petkoviqit në Kosovë. Ato kanë cilësuar çdo përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së apo për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare si të papranueshme dhe kanë kërkuar ndaljen e tyre me vendosmëri.

Gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, mbi 13.000 civilë humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Deri më sot, rreth 1.600 persona, shumica prej tyre shqiptarë, ende konsiderohen të zhdukur. Autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë ndjekur penalisht dhe dënuar disa individë për krime lufte të kryera gjatë asaj periudhe./Mitropol/

Weelnes