Shefi i Operacioneve të Policisë konfirmon raportimin e “Mitropol”: Barrikada në Jegenicë u përforcua

Dje gjatë ditës “Mitropol” raportoi ekskluzivisht se barrikada e vendosur nga serbët në Jegenicë, tek hyrja e cila e lidh fshatin e banuar me shumicë shqiptare, Çabrën me komunat Zubin Potok dhe Zveçan e tërë veriun e Mitrovicës, ishte përforcuar.

Gazetari i “Mitropol”, Urall Boshnjaku qëndroi dje në fshatin Çabër dhe vizitoi pikat e barrikaduara në Zupç e në Jegenicë.
”Mitropol” raportoi se tek pika në Jegenicë vërehej se menjëherë pas dy kamionetave me pesha të rënda ishte vendosur edhe një cisternë e derivateve, gypi i së cilës po pikonte nga të nxehtit pas përdorimit.

E njejta barikadë ishte vendosur më parë në të njejtën kohë me atë në Zupç, por e cila ka lëvizur ndërkohë, gjersa dje shihej se veç kishte pësuar përforcim.
Në lidhje me këtë veprim të serbëve të veriut, gazetari Urall Boshnjaku u deklarua edhe në emisionin Frontal në T7.
E këtë informatë që e dha ekskluzivisht “Mitropol” e konfirmoi mbrëmë edhe drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha.

Në emisionin Kallxo Përnime ai ka folur për gjendjen e sigurisë në komunat e veriut të Kosovës pas vendosjes së barrikadave.
Hoxha ka thënë se në 24 orët e fundit ka pasur përforcim të barrikadave.
Sipas tij, gjatë 24 orëve të djeshme janë regjistruar shtatë detonime.
“Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Kosovës bazuar nga informacionet që ka pranuar, vazhdon të jetë një situatë e brishtë e sigurisë duke i ditur shkaqet dhe arsyet. Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasë dikund shtatë detonime që janë raporte në veriun e Kosovës në lagje të caktume. Dhe ka qenë një përforcim i barrikadës në Jagnjenicë, në komunën e Zubin Potokut”- ka thënë Hoxha.
Sa u përket detonimeve, ai ka thënë se bëhet fjalë për “shock bomba”.
“Ne i konsiderojmë këto “shock-bomba” apo bomba shpërthyese që kemi mujtë me i ekzaminu nuk mund t’i quajmë totalisht mjete plasëse por janë bomba që kanë për qëllim për të krijuar panik, terror dhe shqetësim të qytetarët”- ka thënë tutje ai./Mitropol/








