
Nëpër rrugët e veriut tashmë veç janë të vendosura nëntë barikada.
Një e tillë sapo është përforcuar në Jegenicë, tek hyrja e cila e lidh fshatin e banuar me shumicë shqiptare, Çabrën me komunat Zubin Potok dhe Zveçan e tërë veriun e Mitrovicës, shkruan “Mitropol”.

Gazetari i “Mitropol”, Urall Boshnjaku po qëndron në fshatin Çabër dhe ka vizituar pikat e barrikaduara në Zupç e në Jegenicë.
Tek pika në Jegenicë vërehet se menjëherë pas dy kamionetave me pesha të rënda pak më parë është vendosur një cisternë e derivateve, gypi i së cilës po pikonte nga të nxehtit pas përdorimit.

E njejta barikadë ishte vendosur më parë në të njejtën kohë me atë në Zupç, por e cila ka lëvizur ndërkohë, gjersa sot shihet se veç ka pësuar përforcim.
Një kamionetë e braktisur është vërejtur në rrugën e Çabrës, 50 metra larg barikadës në Jegenicë.

Zupçi dhe KFOR-i

Kur gazetari i “Mitropol” u afrua drejt barikadave, vërejti se grupi i mbledhur po shpërndahej me shpejtësi me vetura.

Aty u panë edhe forca të KFOR-it letonez të cilët ishin parkuar pranë barikadës prej tre kamionetash me dy vetura zyrtare.








