Shembull frymëzues: Qytetari dorëzon në Polici kuletën me gati 2 mijë euro të gjetura në parking

Një gjest i rrallë i përgjegjësisë qytetare ka ndodhur në Klinë, ku një banor i kësaj komune ka treguar se ndershmëria dhe besimi në institucionet janë ende vlera që ruhen e kultivohen në shoqërinë tonë, shkruan Mitropol.
Më datë 4 shtator 2025, qytetari Ilir Tunaj është paraqitur në Stacionin Policor të Klinës për të dorëzuar një çantë që kishte gjetur në parkingun e një marketi. Brenda saj, ai kishte vërejtur një kuletë me shumën prej 1,870 eurosh, para që mund të kishin qenë tundim për këdo, por që në këtë rast u trajtuan me ndërgjegje dhe me përkushtim qytetar.
Pas pranimit të kuletës, policia ka vepruar me shpejtësi, duke identifikuar dhe kontaktuar pronarin e saj, të cilit i ishte humbur mjeti financiar. Personi i dëmtuar është ftuar menjëherë në Stacionin Policor, ku nga zyrtarët e policisë i është kthyer kuleta së bashku me të hollat e plota, pa asnjë mungesë.
Në njoftimin zyrtar, Policia e Kosovës ka falënderuar publikisht Ilir Tunajn për këtë veprim, duke e cilësuar shembull të lartë të përgjegjësisë qytetare dhe të ndershmërisë. Sipas tyre, raste të tilla forcojnë besimin e qytetarëve në rendin dhe ligjin, por edhe krijojnë një atmosferë të shëndetshme bashkëjetese në komunitet.








