Shkencëtarët vëzhgojnë me kujdes asteroidin që ka 2% shanse të godasë Tokën në vitin 2032

Një asteroid i zbuluar së fundmi, i quajtur 2024 YR4, ka rreth 2 për qind shanse për të goditur Tokën në vitin 2032. Ndonëse ky probabilitet i përplasjes është i vogël, astronomët po e ndjekin me vëmendje këtë shkëmb hapësinor për të zbuluar më shumë detaje – një proces që mund të përfshijë së shpejti observatorin më të fuqishëm të dërguar ndonjëherë në hapësirë.
Nuk dihet shumë për 2024 YR4, por asteroidi vlerësohet të ketë një gjerësi prej 40 deri në 90 metra, një “përmasë e krahasueshme me atë të një ndërtese të madhe”, tha Dr. Paul Chodas, menaxher i Qendrës për Studimin e Objekteve Afër Tokës (CNEOS) në Laboratorin e Shtytjes Reaktive të NASA-s në Pasadena, Kaliforni.
Kjo madhësi nuk është aspak afër asteroidit të tipit “vrasës i planetit” që u përplas me Tokën 66 milionë vjet më parë dhe shkaktoi zhdukjen e dinosaurëve. Ai asteroid vlerësohet të ketë qenë rreth 10 kilometra në diametër dhe ishte asteroidi i fundit i madh që ka goditur planetin tonë. Asteroidët “vrasës të planetit” janë shkëmbinj hapësinorë me diametër 1 kilometër ose më shumë dhe mund të kenë një efekt shkatërrues mbi jetën.
Por asteroidët më të vegjël mund të shkaktojnë shkatërrim rajonal nëse përcaktohet se janë në kurs përplasjeje me Tokën, ndaj astronomët duhet të zbulojnë sa më shumë informacione – sa më shpejt të jetë e mundur – për 2024 YR4, shkruan CNN.
Sigurimi i më shumë të dhënave, si përsosja e trajektores së shkëmbit hapësinor, mund të ulë gjasat e një goditjeje direkte në zero. Por astronomët kanë vetëm një periudhë të caktuar kohe për ta vëzhguar asteroidin përpara se ai të zhduket nga pamja në prill. Tani, ata planifikojnë të drejtojnë teleskopin e fuqishëm James Webb në drejtim të 2024 YR4 me shpresën për të përcaktuar me saktësi madhësinë dhe orbitën e tij.
Megjithatë, teleskopi Webb, që pritet të fillojë vëzhgimet për 2024 YR4 në fillim të marsit, sheh universin në dritën infra të kuqe. Ai do të jetë në gjendje të masë nxehtësinë e reflektuar nga asteroidi dhe të sigurojë një vlerësim shumë më të saktë të madhësisë së tij, sipas një studimi të botuar në revistën Nature në dhjetor.
Që nga fillimi i janarit, astronomët kanë përdorur Observatorin Magdalena Ridge në Meksikë, Teleskopin Danez dhe Teleskopin Shumë të Madh në Kili për të gjurmuar asteroidin, i cili aktualisht ndodhet më shumë se 48 milionë kilometra larg Tokës dhe po largohet gjithnjë e më shumë, tha Farnocchia. Ky objekt qiellor pritet të jetë i dukshëm deri në fillim të prillit, përpara se të zhduket nga pamja teksa vazhdon orbitën e tij rreth Diellit.