Premium Store
02KOSOVËLAJME

Trepça reagon ndaj Sindikatës së Minatorëve: “Kemi treguar vullnet për dialog, por s’ka pasur përgjigje nga Sindikata”

Pas komunikatës së publikuar nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka reaguar me një deklaratë të gjatë, duke sqaruar pozicionin e saj lidhur me çështjen e mos-pagesës së trustit pensional dhe proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore – Dega në Mitrovicë.

Në reagimin e bërë publik, Trepça thekson se gjatë gjithë kësaj periudhe ka treguar vullnet të plotë për dialog dhe mirëkuptim me Sindikatën, me qëllim të arritjes së marrëveshjeve të drejta e të qëndrueshme “në përputhje me ligjin dhe mundësitë reale financiare të ndërmarrjes”.

Dukato 1

“Kemi bërë disa herë thirrje publike për arritjen e marrëveshjeve, veçanërisht lidhur me kompensimin e orëve të punës gjatë fundjavës, nga i cili ndërmarrja është dëmtuar në shumë afër 900 mijë euro. Vetëm për shpenzime procedurale, përfshirë pagesat për avokatë dhe përmbarues privatë, janë paguar mbi 200 mijë euro për lëndët gjyqësore të ngritura nga punëtorët e Trepçës,” thuhet në reagimin zyrtar.

Sipas Trepçës, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për bashkëpunim, Sindikatës nuk ka treguar gatishmëri për dialog konstruktiv dhe nuk ka pranuar asnjë nga ftesat për takim. Ndërmarrja pohon se ka dërguar komunikime zyrtare përmes emailit, por nuk ka marrë përgjigje pozitive.

“Ne kemi propozuar disa herë që të arrihet marrëveshje e drejtpërdrejtë, pasi shumat në fjalë përbëjnë rrezik serioz për likuiditetin financiar të ndërmarrjes dhe janë tërësisht të papërballueshme në kushtet aktuale ekonomike. Përkundër kësaj, Sindikata nuk ka pranuar asnjë nga ftesat tona për marrëveshje,” theksohet më tej.

“Veprimet e Trepçës janë ligjore dhe të bazuara në dispozitat përkatëse”

Sa i përket pretendimeve të Sindikatës se ndërmarrja po kundërshton kërkesat e punëtorëve dhe po kërkon nga gjykata që palës kundërshtare t’i ngarkohen shpenzimet gjyqësore, Trepça sqaron se ka vepruar në mënyrë tërësisht ligjore, duke u bazuar në Ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat, si dhe në Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës.

Sipas ndërmarrjes, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është institucioni i vetëm kompetent për mbledhjen e tatimeve dhe kontributeve pensionale, dhe vetëm Drejtori i ATK-së ka të drejtë ekskluzive për të ngritur padi në gjykatë në këtë fushë.

Në këtë kontekst, Trepça thekson se avokatët që kanë ngritur paditë nuk kanë legjitimitet aktiv, andaj ndërmarrja ka pasur detyrim ligjor të kundërshtojë kërkesat e tyre.

Po ashtu, ndërmarrja ka kujtuar se ATK-ja ka në dispozicion mjete të tjera ligjore për të realizuar kërkesat për kontributet e papaguara, siç janë vendosja e barrës tatimore mbi pasuri, konfiskimi dhe shitja në ankand e pasurisë së konfiskuar.

“Ligji përcakton qartë rregullat për shpenzimet procedurale”

Në reagimin e saj, Trepça i është referuar edhe Ligjit për Procedurën Kontestimore, duke përmendur disa nene që rregullojnë mënyrën e mbulimit të shpenzimeve gjyqësore.

“Neni 449 përcakton se shpenzimet procedurale përbëhen nga harxhimet e bëra gjatë dhe lidhur me procesin gjyqësor, ndërsa neni 450 parashikon që secila palë, paraprakisht, i bart vetë shpenzimet që i ka shkaktuar me veprimet e veta procedurale. Sipas nenit 452.1, pala që humb procesin gjyqësor ka për detyrë t’i shpërblejë palës kundërshtare të gjitha shpenzimet gjyqësore,” theksohet në reagim.

Apel për qetësi dhe bashkëpunim

Në fund të deklaratës, Trepça Sh.A. apelon që të mos bëhen deklarata që nxisin pakënaqësi apo përçarje në mesin e punëtorëve, duke theksuar se ndërmarrja mbetet e përkushtuar në ruajtjen e interesit publik, pasurisë dhe stabilitetit ekonomik të saj.

“Trepça është e përkushtuar që të mbrojë interesin publik dhe pasurinë e saj, duke respektuar ligjin dhe duke garantuar që asnjë vendim i saj të mos dëmtojë stabilitetin ekonomik të ndërmarrjes dhe sigurinë e punëtorëve të saj,” përfundon reagimi i ndërmarrjes.

SultanDoner