Cikloni i fuqishëm nga Adriatiku: Të premten shtrëngata të forta në Shqipëri e Mal të Zi, reshje drejt Kosovës dhe Maqedonisë

Një front i fuqishëm dhe i ftohtë me origjinë nga veriperëndimi i kontinentit ka marrë rrugën drejt rajonit tonë. Fillimisht do të përshkojë Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë dhe Hercegovinën me intensitet më të ulët, e më pas, ky sistem do të marrë energjinë sapo të arrijë në ujërat e ngrohta të Detit Adriatik, me ç’rast do të godasë direkt Malin e Zi dhe Shqipërinë qysh në orët e mëngjesit.
Cikloni do të sjellë reshje intensive, stuhi lokale ere, të shoqëruara me shkarkesa të forta rrufesh dhe mundësi për breshër. Po ashtu, edhe ulje të theksueshme të temperaturave, me maksimale prej 13 deri në 22°C. Në disa zona parashihen edhe përmbytje.
Me të vazhduar drejt Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, intensiteti do të bjerë, mirëpo lokalisht reshjet do të jenë më intensive, sidomos në Maqedoninë e Veriut. Nuk përjashtohet mundësia për disa shkarkesa rrufesh, kryesisht në këtë zonë.
Reshjet do të vazhdojnë herë pas here gjatë ditës dhe mbrëmjes, e po ashtu edhe të shtunën gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes.
Cikloni më së shumti do të ketë ndikim në Greqi, ku do të sjellë reshje intensive dhe të vazhdueshme. Deri të dielën, në disa zona sasia mund të arrijë mbi 200 mm, me ç’rast priten përmbytje të mëdha.
Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme. Në Kosovë maksimalet do të lëvizin prej 11 deri në 16°C, ndërsa në Maqedoninë e Veriut prej 13 deri në 22°C.
Gjatë ditës së shtunë priten edhe intervale me diell dhe gradualisht ngritje e temperaturave, sidomos në Shqipëri, ku pritet të arrijnë deri në 27 apo 28°C. Në Kosovë rreth 20°C, ndërsa në Maqedoninë e Veriut deri në 23°C.








