Premium Store
02KOSOVËLAJME

Dosja ndaj 9 të dyshuarve për rastin e “Grupit të intelektualëve”: Plaçkitën 23 civilët, i maltretuan e i ekzekutuan, më pas i dogjën e masakruan kufomat e tyre

Prishtinë– Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të dyshuarve për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar kërkesën e PSRK-së, sipas së cilës, nëntë të dyshuarit janë: Dragan Gjuriq, Millosh Raskoviq, Miroslav Radojeviq, Radisav Raskoviq, Sasha Gjukiq, Svetislav Gjukiq, Vukoje Lepoviq, Rangel Raskoviq me nofkën “Lane” dhe Dalibor Gjuriq.

Premium Store

Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se janë të përfshirë në rastin e “Grupit të intelektualëve”, saktësisht në vrasjen dhe zhdukjen e 23 civilëve në Zubin-Potok. Aty përshkruhet se si civilët u ndaluan, u plakçitën e maltretuan, më pas u ekzekutuan. E pastaj, tentuan t’ua digjinin kufomat me benzinë e i masakruan me mjete të forta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në Dosje thuhet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 19 prill 1999, të dyshuarit Dragan Gjuriq, Milomir Radojeviq, Millosh Raskoviq, Miroslav Radojeviq, Radisav Raskoviq, Sasha Gjukiq, Svetislav Gjukiq, Vladan Tomaseviq, Vukoje Lepoviq, Rangel Raskoviq me nofkën “Lane”, Jovica Utviq dhe Dalibor Gjuriq, së bashku me persona të tjerë të njohur për Prokurorinë si pjesëtarë të Mbrojtjes territoriale ushtarake, janë mobilizuar me armë të llojeve të ndryshme, të cilët kanë qenë të angazhuar për fshatrat e Zubin-Potokut, në vendin e quajtur Melaja në fshatin Kalludër e Vogël, dhe kanë ndaluar grupin e civilëve shqiptarë prej 23 personave dhe sapo i ndalojnë, fillimisht i plaçkisin, i maltretojnë e në fund i ekzekutojnë.

23 civilët që u vranë aty janë: Adem Ademi, Demir Ahmeti, Idriz Rreci, Adem Beqiri, Hasan Dervari, Sahit Barani, Fatmir Fazliu, Ali Haliti, Bekim, Naser, Sali, Samir, Selim, Shaqir, Tahir, Gjemajl, Gjevdet dhe Zymer Meziu, Faton, Mahit, Nazmi, Shaip dhe Shkelzen Ujkani.

Në kërkesë theksohet se 20 prej tyre ende konsiderohen të zhdukur, ndërkaq tre nga viktimat tashmë janë identifikuar në bazë të analizës së ADN-së.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, të dyshuarit në bashkëkryerje me të dyshuar tjerë të identifikuar, i kanë varrorur viktimat në fundin e një livadhi tek vendi i quajtur Melaja, në Kalludër të Vogël, afër lumit dhe me qëllim që t’i fshehin gjurmët e krimit.

Ndërsa, thuhet se të nesërmen (më 20 prill 1999), të njëjtit kanë shkuar prapë në të njëjtin vend rreth orës 10:00 ku fillimisht 13 viktimat të cilët i kanë vrarë, marrin kufomat dhe fillojnë t’i djegin me benzinë, mirëpo benzina u hargjohet, e pastaj me mjete të forta- sëpata, çekiç, tërnakop, i masakrojnë kufomat dhe i varrosin afër lumit rreth 200 metra nga vendi i vrasjes.

Ndërkaq, më tej thuhet se më 18 prill 1999, i vranë edhe Sahit dhe Sadete Fekën, Deli Isufin dhe Rabije Isufin, me armë zjarri.

Aty thuhet se pasi i vranë, të pandehurit në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, viktimat i varrosën në fshatin Jabukë të Zubin-Potokut, ndërsa dëshmitarin- të dëmtuarin Muharrem Feka e ndanë nga grupi, ku fillimisht e sulmuan fizikisht e pastaj e urdhëruan t’i vendosë duart prapa kokës dhe të vazhdojë në drejtim të malit, ku të pandehurit kanë shtënë me armë në drejtim të tij, dhe i shkaktuan plagë në kokë dhe kraharor. Në atë moment, thuhet se viktima u rrëzua dhe humbi vetëdijen, por dëgjoi krismat e armëve, e kur iu kthye vetëdija e vëren se bashkudhëtarët- respektivisht familjarët dhe policia nuk ishin në vendin e ngjarjes.

Në Dosje thuhet se Feka në atë gjendje të rëndë vazhdoi duke u futur në male dhe vazhdoi rrugën deri në fshatin Germovë, mori ndihmën e parë nga një fqinje e tij, e cila me profesion ishte teknike medicinale.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile” e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ-së, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRKS-së, sepse vepruan në kundërshtim me nenin e përbashkët 3 të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 3 të datës 8 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi, në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.

Sipas kërkesës së parashtruar nga prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli, Prokuroria ka vlerësuar se ndaj të pandehurve duhet të caktohet masa e paraburgimit me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurën penale, pasi që për të njëjtit janë plotësuar kushtet e nevojshme ligjore të përcaktuara me nenin 184, par.1, nënpar. 1 dhe 2, pika 1.2.1 dhe 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas Prokurorisë, ekziston rreziku potencial se të pandehurit po të jenë në liri, do të arratisen për shkak se kanë shtetësi dhe vendbanim në Serbi, e po ashtu posedojnë edhe pasaportë të Republikës së Serbisë, e që do t’iu mundësontë lëvizje në secilin vend të botës ngase këto pasaporta nuk i nënshtrohen regjimit të vizave, duke u bazuar në faktin se Republika e Serbisë, në asnjë mënyrë nuk bashkëpunon me Republikën e Kosovës sa i përket krimeve të luftës, rezulton se nëse të pandehurit do të shkonin në atë shtet, organet e drejtësisë së Kosovës do ta kenë të pamundur të siguronin prezencën e të njëjtëve për t’u përballur me procedura gjyqësore.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, ekziston rreziku se nëse të pandehurit qëndrojnë në liri, do të mund të ndikojnë tek dëshmitarët– të dëmtuarit dhe të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit tjerë. Pasi që ky rast penalo-juridik ende nuk është në fazën e hetimeve ngase ende nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët të cilët mund të dëshmojnë në këtë rast, të cilët Prokuroria planifikon t’i ftojë dhe dëgjojë për dëshmi, lidhur me mënyrën e kryerjes, rrethanat e kryerjes, mjetin, kohën, vendin etj, e krahas faktit që ata mund të ndikojnë tek dëshmitarët, mund të bëjnë përpjekje që t’i zhdukin dhe dëmtojnë provat materiale.

Gjithashtu, Prokuroria ka vlerësuar se masat tjera për sigurimin e prezencës së të pandehurve janë të pamjaftueshme duke pasur parasysh natyrën e veprës, rrethanat në të cilat vepra është kryer dhe sjelljen e të pandehurve pas përfundimit të luftës e deri më tani, andaj edhe ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masa adekuate dhe e nevojshme për këtë fazë të procedurës penale. /BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Active 1