
Ylli kosovar i popit, Dua Lipa, raportohet se ka shkarkuar agjentin e saj pasi ai kishte nënshkruar një letër që kërkonte largimin e grupit reper pro-palestinez irlandez Kneecap nga festivali Glastonbury në korrik.
Para festivalit, disa profesionistë të industrisë muzikore dhe artistë kishin nënshkruar një letër private, e cila iu dërgua themeluesit të festivalit, Michael Eavis, duke i bërë thirrje ta hiqte grupin nga lista e performuesve.
Megjithatë, letra u zbulua publikisht dhe u dënua nga figura të tjera të botës muzikore, ndërsa Kneecap gjithsesi u ngjit në skenë sipas orarit të tyre të caktuar.
Mes nënshkruesve të letrës ishte edhe David Levy, agjenti i Dua Lipës nga agjencia e talenteve WME.
Sipas një raporti të The Mail on Sunday, duke cituar një burim nga industria e muzikës, vendimi i Dua Lipës për ta shkarkuar atë lidhet me qëndrimin e saj pro-Palestinë, që “nuk përputhet” me atë të ish-agjentit të saj, transmeton Mitropol.
“Ajo e sheh atë si një mbështetës të luftës së Izraelit në Gaza dhe trajtimit mizor të palestinezëve, gjë që u bë shumë e qartë përmes letrës që ai nënshkroi dhe ia dërgoi Michael Eavis”, tha burimi i paidentifikuar për The Mail.
Kneecap prej kohësh po përballet me akuza për mbështetje të grupit të armatosur libanez Hezbollah dhe grupit palestinez Hamas, gjë që ata e mohojnë.
Në maj, Liam Óg Ó hAnnaidh (i njohur në skenë si Mo Chara) u akuzua sipas një ligji antiterrorizëm në Mbretërinë e Bashkuar, pasi dyshohet se kishte shfaqur një flamur të Hezbollah-ut gjatë një performance në nëntor të vitit të kaluar. Çështja e tij u shty për në fund të këtij muaji.
Javën e kaluar, Kneecap kritikoi ashpër qeverinë kanadeze pasi kjo ndaloi hyrjen e tyre në vend, duke i akuzuar për mbështetje të dhunës politike dhe terrorizmit përmes qëndrimeve pro Hamasit dhe Hezbollah-ut.
Në reagim, grupi tha se komentet e deputetit liberal kanadez Vince Gasparro, njëherësh sekretar parlamentar për luftimin e krimit, janë “plotësisht të pavërteta dhe jashtëzakonisht keqdashëse” dhe paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa ligjorë kundër tij.
Ndërkohë, më shumë artistë pro-palestinezë kanë kërkuar nga industria muzikore të mbajë një qëndrim më të fortë.
Të premten, mbi 400 muzikantë dhe kompani diskografike nënshkruan nismën “No Music for Genocide”, duke tërhequr muzikën e tyre nga Izraeli në shenjë kundërshtimi ndaj luftës në Gaza dhe “spastrimit etnik në Bregun Perëndimor të pushtuar”.
“Kjo veprimtari konkrete është vetëm një hap drejt nderimit të kërkesave palestineze për izolimin dhe delegjitimimin e Izraelit, i cili vret pa pasoja në skenën botërore,” u tha në deklaratën e nismës.








