Policia i gjen foton me armë në dorë në telefonin e të miturës nga Vushtrria që dyshohet se u dhunua

Një rast i pazakontë ka dalë në pah në Vushtrri, ku gjatë hetimit të një rasti të dhunimit, policia ka zbuluar prova të tjera shqetësuese që lidhen me mbajtjen e paautorizuar të armëve, shkruan Mitropol.
Nga Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë procesit hetimor, është intervistuar një vajzë e mitur, e dyshuar në këtë rast. Teksa po analizohej telefoni i saj, hetuesit kanë hasur në një fotografi ku tashmë e dyshuara shihej duke mbajtur armë në dorë.
Ky zbulim ka ngritur dyshime për posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve, një vepër penale që parashikon pasoja serioze ligjore.
E mitura është marrë në pyetje në prani të prindit dhe avokatit të saj, por ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, duke mos dhënë asnjë deklaratë lidhur me origjinën e armës apo rrethanat në të cilat është realizuar fotografia.
Prokurori i rastit ka urdhëruar që rasti të trajtohet në procedurë të rregullt, duke i hapur rrugë hetimeve të mëtejshme për të zbuluar nëse armën e ka pasur realisht në posedim apo fotografia është bërë në rrethana të tjera.








