Osmani pret në takim Ulutashin: KFOR-i partner kyç në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur besimin e saj të plotë në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në funksion të forcimit të paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon.
Kjo u bë e ditur pas takimit të saj me gjeneralmajorin Oezkan Ulutash, i cili së fundmi ka rimarrë detyrën e komandantit të KFOR-it.
“Dje mirëprita gjeneralmajorin Oezkan Ulutash dhe e urova për rimarrjen e detyrës së komandantit të KFOR. Shpreha besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Gjatë takimit, presidentja ka diskutuar edhe për kërcënimet që vijnë nga Serbia, duke përfshirë veçanërisht përdorimin e dronëve.
“Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.








