Federata e Sindikatave të Shëndetësisë dënon ashpër sulmin ndaj infermierit në Mitrovicë: “Dhuna në vendin e punës është e papranueshme”

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka reaguar me shqetësim dhe indinjatë të thellë pas sulmit fizik që ndodhi të hënën mbrëma ndaj një infermieri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Mitrovicë.
Ngjarja, e cila ndodhi në ambientet e Emergjencës, pas një fjalosjeje mes një pacienti dhe infermierit kujdestar, ka tronditur opinionin publik dhe komunitetin shëndetësor në qytet.
Në reagimin zyrtar të publikuar më 8 tetor 2025, FSSHK e ka cilësuar dhunën ndaj punonjësve shëndetësorë si të papranueshme dhe të dënueshme, duke theksuar se “ajo cenon jo vetëm integritetin fizik e moral të profesionistëve tanë, por edhe dinjitetin dhe sigurinë në institucionet publike shëndetësore.”
Federata ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe autoritetet komunale, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e mbrojtjes ligjore për viktimën.
“Çdo formë dhune në ambientin e punës duhet të ndalet me vendosmëri. Punëtorët tanë meritojnë respekt dhe mbrojtje të plotë institucionale,” thuhet në reagim.
Në dokument përmendet edhe njoftimi nga kryetari i shoqatës sindikale të Mitrovicës, z. Agim Musa, i cili ka kërkuar marrjen e masave urgjente për parandalimin e rasteve të tilla dhe për sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt për çdo punonjës shëndetësor.
FSSHK ka theksuar se shëndetësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e frikës apo pasigurisë, dhe u ka bërë thirrje të gjitha strukturave menaxheriale që të sigurojnë kushte pune të përshtatshme për stafin mjekësor.
Ky reagim vjen pas një sërë deklaratash nga institucionet komunale të Mitrovicës, përfshirë Drejtorinë e Shëndetësisë, e cila gjithashtu ka dënuar ashpër ngjarjen dhe ka apeluar për trajtim ligjor rigoroz të çdo rasti dhune ndaj mantelbardhëve.
FSSHK ka konfirmuar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër rastin, duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat dhe sigurinë e anëtarëve të saj në gjithë vendin.








