
Kadri Gërbeshi, i cili ishte arratisur nga Policia në Vushtrri gjatë muajit maj, është dërguar në paraburgim me vendim të Gjykatës, mëson Sinjali.
Sipas burimeve të sigurta, Gërbeshi më 20 maj ishte intervistuar në stacionin policor Vushtrri për një rast penal, por gjatë shoqërimit kishte ikur me vrap nga zyrtarët policorë dhe ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria”.
Pas disa muajsh në arrati, më 21 shtator ai u arrestua nga Drejtoria e Krimeve të Rënda dhe u intervistua në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, fillimisht iu caktua masa e ndalimit prej 48 orësh.
Mbrëmë, më 22 shtator, njësia e hetimeve të Stacionit Policor Vushtrri, në bashkëpunim me Njësinë për Shërbime Speciale, e ka dërguar Gërbeshin në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë-Veri, ku do të qëndrojë për 30 ditë.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.








