Dukato 2
02LAJME

Gjykata e Mitrovicës ua vazhdon paraburgimin 17 prej 27 të dyshuarve për bixhoz e skema piramidale

 

Gjykata e Mitrovicës ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për një muaj 17 prej 27 të dyshuarve për organizim të skemave piramidale dhe të bixhozit të paligjshëm në rajonin e Mitrovicës. Ndërsa 10 prej tyre janë liruar për t‘u mbrojtur në liri.

Tripika

Fillimisht, më 22.04.2026, Gjykata kishte vendosur masën e paraburgimit në afat prej një muaji për secilin prej tyre.Pasi përfunduan këtë masë, në Mitrovicë, edhe një muaj paraburgim është shqiptuar për Arbër Beranin, Dardan Sahitin, Bujar Mulin, Nexhat Malokun, Raif Sylajn, Besim Islamin, Blerim Berishën, Atdhe Rexhepin, Andi Maxhunin, Daut Malokun, Arbër Miftarin, Xhevat Sylën dhe Driton Ukën.

Ndërkaq Arsim Islamit, Fisnik Dobërllukës, Fahredin Mujkës, Behxhet Sylës, Nexhmedin Hazirit dhe Shaban Ahmetit u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe ata janë liruar për t’u mbrojtur në liri nga data 15.05.2026.

Në Vushtrri, edhe një muaj paraburgim është caktuar për Arben Mujën, Elvir Makiqin, Burim Makiqin dhe Enis Llapashticën.

Dy të tjerëve u është ndërprerë masa e paraburgimit dhe të njëjtit mbrohen në liri.

Për dallim nga dy qytetet paraprake që kishte vazhdim të masës së paraburgimit, të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm në Skenderaj, Blerim Gecaj dhe Ylber Ahmeti, u është ndërprerë masa e paraburgimit.

Fillimisht, Prokuroria e Mitrovicës kishte autorizuar Policinë e Kosovës, konkretisht Hetimet Rajonale në Mitrovicë, që të ndërmerren veprimet paraprake me qëllim të identifikimit të personave dhe vendeve se ku janë duke u zhvilluar aktivitetet e kundërligjshme të lojërave të fatit- bixhozit të paligjshëm.

Më 30.01.2026, Prokuroria kishte nxjerrë urdhër për përgjimin e telekomunikimeve dhe incizimin e fshehtë të bisedave në vende publike.

Hetimet kishin nisur edhe për veprën – moslajmërim i veprave penale ose kryerësve të tyre, me ç’rast Inspektorati Policor ka kërkuar suspendimin e një polici nga Mitrovica.

Më 18.04.2026, me urdhër kontrolli të lëshuar nga Gjykata, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, kishte bërë kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të provave dhe pasurisë së specifikuar.

Pazari me të hollat e basteve në kafiteri në Mitrovicë

Në dosje të Prokurorisë theksohet se janë vëzhguar “Offside Sport Bar”, “Caffe Time- Game One”, “Caffe Bar Fisi”, lokali pa emër, ku në këto lokale janë vërejtur persona të ndryshëm, ndërsa në TV shfaqeshin ndeshje futbolli.

Nga përgjimi i telekomunikimeve, sipas Prokurorisë, dyshohet se disa persona kanë kryer veprimtari të kundërligjshme të aktiviteteve të basteve online përmes aplikacioneve të ndryshme.

E madje disa prej tyre, përmes kamarierëve në kafiteri, bënin pranimin, shpërndarjen dhe qarkullimin e mjeteve monetare që burojnë nga ky aktivitet.

“Një klient futet në lokal, i jep kamarierit para dhe del nga lokali, e gjatë gjithë kohës klientët nuk kanë as ushqim, as pije por vetëm bënin pagesa dhe largoheshin nga lokali”- thuhet në shkresat e Prokurorisë.

Prokuroria pretendon se përdoreshin edhe udhëzime të drejtpërdrejta si:

“Tërheki qato krejt çka i ki, tërheqi ato nja 1000” e “Qitmi 5 euro”, “Okej hajt”, “150 krejt, ma nuk të qoj”.E dikush tjetër, me paratë e borxhit për të cilat kishte ngrënë dajak, kishte luajtur bastore.

“I pandehuri e njofton personin tjetër se borxhliun e kishte dërguar në një bodrum dhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tij, derisa një person tjetër ka ardhur dhe ka shlyer borxhin.

Sipas të pandehurit, borxhliu me paratë të cilat i kishte marrë nga i pandehuri, kishte luajtur bastore”- theksohet në dosje.Lokalet me bastoret online në Vushtrri.

Për të njejtën vepër penale në Vushtrri, të ndaluar nga Policia e Kosovës, më 18.04.2026, ishin Arben Muja, Safet Selaci, Elvir Makiqi, Burim Makiqi, Benjamin Vatovci dhe Enis Llapashtica.

Të gjashtëve, Gjykata e Mitrovicës u kishte caktuar nga një muaj paraburgim.Prokuroria kishte zbatuar masa të fshehta përmes të cilave kishte siguruar komunikime gjatë një ndeshjeje futbolli, pikërisht në atë lokal.

“Gjatë zbatimit të masës, në orën 22:04, është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet Newcastle dhe Manchester City, dhe në momentin kur Manchester City shënon gol, një person i ulur në kafiteri dëgjohet duke thënë: ‘City menjëherë ja dha, a 2-sh’”- thuhet në dosjen e kërkesës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Bixhoz në shtëpiNë Skenderaj, në prangat e Policisë ranë Blerim Gecaj dhe Ylber Ahmeti. Edhe ndaj tyre Gjykata kishte shqiptuar masën e paraburgimit në afat prej një muaji.

Provat materiale të cilat Prokuroria i pasqyron në dosje janë: raportet policore dhe veprimet paraprake hetimore, masat e veçanta hetimore, nga të cilat janë evidentuar hyrje- dalje të personave në lokacionet e dyshuara, procesverbalet dhe vërtetimet mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve, kontrollin e pajisjeve elektronike, deklaratat e të dyshuarve, si dhe rrethanat e gjetjes së mjeteve, shënimeve dhe parasë në lokacionet përkatëse.

Prokuroria pretendon se në katin e dytë të shtëpisë së njërit nga të dyshuarit në rrugën “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, në vazhdimësi ka organizuar dhe mundësuar zhvillimin e aktivitetit të kundërligjshëm të bixhozit online dhe lojërave të fatit.

“Janë sekustruar telefona mobilë, letra bixhozi, bllok më shënime, qipa të pokerit, domino, laptop dhe para të gatshme në shumën prej 22 mijë eurove”- theksohet në dosjen e Prokurorisë.

Aksioni i Prokurorisë

Më 18 prill, Prokuroria Themelore në Mitrovicë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, kanë realizuar një sërë operacionesh të koordinuara në rajonin e Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut dhe Skenderajt me qëllim të luftimit të veprimtarive të kundërligjshme që ndërlidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Bazuar në raportet zyrtare, gjatë këtyre operacioneve janë arritur këto rezultate: Janë shoqëruar 34 persona të dyshuar, janë kontrolluar rreth 50 lokacione të ndryshme, përfshirë lokale afariste dhe shtëpi private, janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprat penale, përfshirë: rreth 170,000 euro para të gatshme, pesë (5) automjete, armë zjarri, si dhe pajisje dhe materiale të tjera të përdorura për zhvillimin e aktiviteteve të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit kompetent: 29 të dyshuar ishin dërguar në mbajtje, ndërsa të dyshuarit e tjerë ishin liruar në procedurë të rregullt.

Më 18.04.2026 Prokuroria e Mitrovicës ka zhvilluar një aksion kundër bixhozit në disa qytete të Kosovës, si në Prishtinë, Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj e Istog.Aksioni u drejtua nga prokurori i Prokurorisë së Mitrovicës, Muharrem Prekazi.

Prekazi kishte thënë për KALLXO se janë bastisur disa lokacione në disa qytete, kundër veprave penale – organizimi i lojërave piramidale dhe bixhozit te kundërligjshëm.

Në lidhje me rastin, Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e një zyrtari policor nga Mitrovica.

Ai po dyshohet se është i përfshirë në vepër penale – moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre.

Dukato 1