Premium Store
02KOSOVËLAJME

Vuçiq: Mund të jap dorëheqje së shpejti

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar se mandati i tij po i afrohet fundit dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes në një periudhë të afërt, shkruan Mitropol.

Gjatë një deklarimi për mediat në Pekin, në fillim të vizitës së tij zyrtare në Kinë, Vuçiq tha se nuk dëshiron të veprojë si ish-presidenti serb Boris Tadiq, duke theksuar se një president ose jep dorëheqje, ose e përfundon mandatin deri në fund.

Weelnes

“Është e mundur që së shpejti të jap dorëheqjen”, deklaroi ai para gazetarëve.

Duke komentuar protestën e mbajtur mbrëmjen e së shtunës në sheshin Slavija të Beogradit, Vuçiq tha se tubime të tilla nuk përbëjnë shqetësim për pushtetin, duke i cilësuar ato si pa përmbajtje të qartë politike. Ai gjithashtu akuzoi organizatorët për incidentet që, sipas tij, ndodhën pas përfundimit të protestës.

Sipas presidentit serb, tri institucione shtetërore kanë bërë vlerësime të ndara për numrin e pjesëmarrësve në protestë, me shifra që variojnë nga 30.500 deri në 34.300 persona.

Ai tha se autoritetet kanë marrë për bazë vlerësimin më të lartë, ndërsa shtoi se të dhënat e sakta tregojnë se në protestë morën pjesë rreth 34.000 qytetarë.

Koha