Trofeu i kampionit ndalet te varri i Erjon Morinës, tifozët e Vushtrrisë: Premtimi u mbajt

Klubi i futbollit Vushtrria ka përmbyllur një sezon të jashtëzakonshëm, duke siguruar rikthimin në Superligën e Kosovës dhe duke u shpallur kampion i Ligës së Parë, shkruan Mitropol.
Pas triumfit vendimtar me rezultat 3:1 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë, skuadra vushtrriase vulosi një nga sukseset më të mëdha të viteve të fundit, duke rikthyer klubin në elitën e futbollit kosovar.
Por, përtej festimeve të titullit, një gjest simbolik dhe emocional i tifozëve të grupit “Forca” ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv.
Disa ditë pas ngritjes së trofeut, tifozët vizituan varrin e ish-futbollistit të Vushtrrisë, Erjon Morina, duke vendosur pranë tij kupën e kampionit. Veprimi u pa si një homazh për ish-lojtarin, kujtimi i të cilit vazhdon të jetojë tek tifozët, bashkëlojtarët dhe qyteti i Vushtrrisë.
“Misioni u krye, Erjon. Pusho i qetë”, ishte mesazhi i publikuar nga grupi “Forca” në rrjetet sociale, duke shoqëruar fotografitë nga vizita te varri i Morinës.








