Ankohet mitrovicasi nga Kodra e Minatorëve: Na është ndërruar qyteti, nga Veriu na kanë qitë në Jug

Një rast i parregullësisë në procesin zgjedhor është regjistruar në qytetin e Mitrovicës.
Një familje nga Kodra e Minatorëve kanë raportuar në Mitropol se u është ndërruar qyteti ku votojnë dhe nga qendra e votimit në Kodër të Minatorëve në shkollën SHFMU “Aziz Sylejmani” janë zhvendosur si familje për të votuar në Shipol të Mitrovicës së Jugut.
Bëhet fjalë për qytetarët Petrit e Vezire Mustafa të cilët deklaruan për “Mitropol” se asnjëherë nuk kanë pasur një problem të tillë dhe se vazhdimisht kanë votuar në veri, në të njejtën qendër.
“As nuk kemi apliku me e ndërru qendrën e votimit e as nuk e kemi kontrollu më parë, meqë vazhdimisht kemi votu në veri. Sot kur shkuam të votojmë bashkë me familjen, në qendër na njoftuan se na kanë transferuar në jug, në Shipol të Mitrovicës së Jugut.”, u shpreh Petrit Mustafa për “Mitropol”.
Ndryshe, deri tash nuk është raportuar ndonjë incident tjetër i natyrës së sigurisë nga qendrat e votimit në Mitrovicë.
Të drejtën e votës në Mitrovicë të Veriut deri në ora 11:00 e kanë shfrytëzuar 3,136 qytetarë nga 17,643 gjithsej me të drejtë vote, ose 17,77% e totalit./Mitropol/







