Mitrovica e trazuar nga armët: Nga fotot në rrjete sociale deri te të shtënat nga vetura

Një ditë normale zgjedhjesh në Mitrovicë u kthye në një seri incidentesh që përfshinë përdorimin dhe mbajtjen e armëve të zjarrit.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti i parë ndodhi më 12 tetor 2025, rreth orës 13:50, kur një i ri u arrestua pasi kishte publikuar në rrjetet sociale tri fotografi me armë në dorë, një pushkë automatike, pistoletë dhe madje edhe një granatë dore.
Njësitë policore ndërhynë menjëherë dhe kryen kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, mirëpo atje nuk u gjet asgjë e dyshimtë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.
Vetëm pak orë më vonë, një tjetër incident ndodhi në jug të Mitrovicës, ku një person tjetër dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri nga vetura në lëvizje.
Policia arrestoi të dyshuarin dhe sekuestroi një pistoletë me gaz dhe 18 fishekë.
Edhe ky rast, pas trajtimit nga prokurori, përfundoi me lirimin e personit nën procedurë të rregullt.
Këto dy episode e vendosin sërish Mitrovicën në qendër të vëmendjes për rastet që lidhen me armëmbajtje dhe përdorim të pakontrolluar të armëve, një dukuri që vazhdon të shqetësojë qytetarët, veçanërisht në zonat urbane ku siguria publike shpesh vihet në pikëpyetje./Mitropol/







