Konfirmohet: Arrihet marrëveshja SHBA-Iran

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me Iranin, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm pas muajsh negociatash mes palëve.
Lajmin e bëri të ditur vet ai përmes një postimi në platformën, “Truth Social”, ku tha se marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tashmë është përfunduar.
“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është kompletuar. Urime të gjithëve!”, shkroi Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha detaje konkrete rreth përmbajtjes së marrëveshjes, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me këtë njoftim.
Trump bëri të ditur gjithashtu se ka autorizuar heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të SHBA-së ndaj Iranit, një vendim që sipas tij do të ndikojë drejtpërdrejt në qarkullimin e lirë të naftës dhe transportit detar në rajon.
Në të njëjtin postim, Trump tha se ka autorizuar hapjen pa tarifa të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë dhe naftës.
Edhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Kjo është deklarata e plotë e tij:
Pas bisedimeve intensive, jemi të lumtur të njoftojmë se është arritur Marrëveshja e Paqes midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Të dyja palët kanë deklaruar ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, raporton BBC.
Ceremonia zyrtare e nënshkrimit do të jetë të premten, më 19 qershor, në Zvicër. Ne dëshirojmë të falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranin për angazhimin e tyre për të gjetur një zgjidhje diplomatike për konfliktin.
Gjithashtu, dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për vëllezërit tanë në këtë përpjekje ndërmjetësimi, udhëheqjen e shkëlqyer të Shtetit të Katarit, për mbështetjen e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje.
Do të falënderoja gjithashtu në mënyrë të veçantë udhëheqjen vizionare të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Turqisë për kontributet e tyre të jashtëzakonshme në këtë drejtim.
Me marrëveshjen që është arritur tashmë, ndërmjetësit do të lehtësojnë një sërë takimesh këtë javë.
Këto diskutime para-zbatimit do të hedhin themelet për bisedimet teknike dhe ceremoninë zyrtare të nënshkrimit.







