Premium Store
02KOSOVËLAJME

Motra e ministrit Armend Muja bëhet gati për t’u bërë inspektore në ATK

Motra e ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, Adelina Muja Brahimi po “përgatitet” per t’u bërë inspektore e nivelit fillestar në ATK, njofton “Mitropol”.

Në listën e publikuar nga ATK, “Mitropol” ka gjetur se shihet edhe emri i ish-kandidates së VV-së për asambleiste, njëherit motrës së ministrit Armend Muja, e radhitur me numër rendor 381 në listë.

Dukato 1

Sipas listës së publikuar më 26 qershor, emrat që ndodhen aty kanë kaluar aprovimin për inspektorë të nivelit fillestar dhe pritet t’i nënshtrohen edhe testit me shkrim.

“Lidhur me datën, orën dhe vendin e mbajtjes së testit me shkrim, kandidatët do të njoftohen përmes ueb-faqes zyrtare të Administratës Tatimore të Kosovës.”, thuhet në fund të listës së publikuar nga ATK-ja.

Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar motra e ministrit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, Adelina Muja Brahimi, i ishte futur garës edhe për një vend pune në Minierën e Trepçës.

Ajo madje ishte listuar e para në listë për pozitën “Zyrtar i Shpenzimeve” në Trepça Sh.A.

Konkursi për këtë pozitë ishte shpallur më 11 nëntor të vitit 2025.

Gjersa emri i ish-kandidates së VV-së për asamble komunale në Mitrovicë tash po figuron edhe në listën e aprovuar për inspektorë të nivelit fillestar në ATK.

Kujtojmë se Muja Brahimi ka ndjekur studimet në “Kolegjin Biznesi”, në programin Menaxhment. Më pas studimet i vazhdoi në “Kolegjin Riinvest” në Prishtinë, ku ka përfunduar studimet themelore në programin Banka, Financa dhe Kontabilitet.

Se a do ndikoj vëllau i saj ministër në pranimin e motrës në ATK, mbetet të shihet kur të bëhet publikimi i listave përfundimtare.

Ndryshe, VV vazhdimisht kishte akuzuar partitë e pushteteve të kaluara se kishin mbushur institucionet me familjarë të tyre, por edhe VV po akuzohet vazhdimisht se po vazhdon t’i rehatoj militantët e familjarët e funskionarëve gjithandej institucioneve të vendit. Duket se shprehja e famshme e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit se “familjarët janë për veç për dasma”, nuk po vlen kur në pyetje janë familjarët e anëtarëve të kësaj partie./Mitropol/

Weelnes