Aurora Group
02KOSOVËLAJME

“U bë i famshëm për dajak” pas videos së rrahjes në biliardo, Policia arreston 19-vjeçarin dyshuar për sulm ndaj 14 vjeçarit në Mitrovicë

Publikimi i një videoje në rrjetet sociale, ku shihet një i ri duke goditur me shuplakë një të mitur, ka nxitur reagimin e Policisë së Kosovës, e cila ka identifikuar dhe ndaluar personin e dyshuar, mëson Mitropol.

Sipas informacioneve që ka siguruar Mitropol, i dyshuari është Vigjilent Beqiri, rreth 19 vjeç, ndërsa viktimë është një 16-vjeçar me inicialet A.P.

Premium Store

Burime të Mitropolit bëjnë të ditur se rasti është evidentuar mbrëmjen e 14 korrikut, pasi videoja që shfaq momentin e incidentit u përhap në rrjetet sociale.

Pas pranimit të informatave, hetuesit e Stacionit Policor Mitrovicë-Jug kanë ndërmarrë veprime hetimore, duke arritur të identifikojnë si personin e dyshuar, ashtu edhe të miturin që dyshohet se është viktimë e sulmit.

Sipas hetimeve fillestare, ngjarja nuk dyshohet të ketë ndodhur në ditën kur u publikua videoja, por rreth dy deri në tri javë më parë, në rrugën “UÇK”, në zonën e Sheshit të Vjetër në Mitrovicë.

I dyshuari është intervistuar në stacion policor në praninë e avokatit të tij mbrojtës, ndërsa viktima është udhëzuar që të paraqitet për intervistim së bashku me prindin.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Sulm”, ndërsa ai është ndaluar për 48 orë.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Koha