Tre persona arrestohen për deklarim të rremë në gjykim për tentim-vrasje në Mitrovicë– përfunduan në Polici pas seancës

Tre persona janë vënë nën hetim për deklarim të rremë, pasi gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut dyshohet se kanë ndryshuar deklaratat e tyre në raport me ato që kishin dhënë më herët në Polici.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për G. M rreth 31 vjeç, F.H rreth 32 vjeç dhe B.Q rreth 32 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur gjatë seancës gjyqësore për një rast “Tentim vrasjeje”, që lidhet me një ngjarje të ndodhur më 20 shtator 2013.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, tre të përfshirët në këtë çështje kanë dhënë deklarime që, sipas autoriteteve, dallojnë nga deklaratat e tyre të mëparshme të dhëna në fazën e hetimeve policore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ata janë shoqëruar në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Pas intervistimit, Prokurori ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Deklarim i rremë”, ndërsa tre të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.








