Faton Peci vazhdon me rehatimet e bashkëpartiakëve dhe partnerëve të koalicionit nëpër Borde: Sot u emërua Bordi i NPL “Tregu”

Mbledhja e Komisionit Komunal të Aksionarëve të NPL “Tregu” në Komunën e Mitrovicës është përcjellë me përplasje mes anëtarëve, pasi opozita ka kundërshtuar mënyrën e emërimit të Bordit të Përkohshëm, duke pretenduar se janë shkelur procedurat ligjore dhe kriteret e përcaktuara me ligj, mëson ekskluzivisht Mitropol.
Sipas procesverbalit të mbledhjes të siguruar nga “Mitropol”, anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, kishte propozuar që pika për emërimin e Bordit të Përkohshëm të shtyhej deri në kompletimin e bazës ligjore dhe dokumentacionit përkatës. Megjithatë, propozimi i tij u rrëzua me dy vota kundër nga Nazmi Kelmendi dhe Elfate Bahtiri, ndërsa vetë Ibrahimi votoi pro shtyrjes.
Në diskutim, Ibrahimi kishte argumentuar se, bazuar në Ligjin për Shoqëritë Tregtare, anëtarët aktualë të Bordit mund të vazhdonin ushtrimin e detyrës deri në zgjedhjen e pasardhësve, duke vlerësuar se Komuna kishte pasur kohë të mjaftueshme për të zhvilluar një konkurs të rregullt për përzgjedhjen e Bordit të ri.
Pavarësisht kundërshtimeve, me dy vota për dhe një kundër u miratua emërimi i Bordit të Përkohshëm, i përbërë nga Agim Rexhepi, Shukri Gashi, Qazim Nimani dhe Vlora Sadiku.
Agim Rexhepi është emri i radhës i bashkëpartiakut të Faton Pecit që emërohet në një Bord Drejtorësh në instutucione publike, pas emërimeve në Bordin e Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve. Rexhepi kishte garuar për asambleist në zgjedhjet e fundit lokale me numër 10 në listën e Guxo-s por s’kishte arritur t’i siguronte votat e majftueshme për Asamble, mirëpo Peci përmes njerëzve të vet u sigurua që ta rehatonte bashkëpartiakun e tij si anëtar bordi.

Edhe Vlora Sadiku është emër i skenës politike e cila nuk siguroi votat si kandidate për asamble me numër 6 në listë nga radhët e partnerit të koalicionit të Faton Pecit, AKR-së, e cila u rehatua tash si drejtoreshë në bordin e NPL “Tregu”.

Qazim Nimani është një tjetër emër që vie nga partneritet e koalicionit, ai kryetar i AAK-së në Mitrovicë. Megjithatë, Nimani zoton aftësi menaxheriale meqë edhe më parë ishte drejtor komunal në mandatin e Agim Bahtirit.

Një tjetër anëtar i ri i emëruar në bordin e përkohshëm është edhe Shukri Gashi i cili poashtu ka qenë drejtor i Financave në Komunën e Mitrovicës deri para pesë vitesh.

Pas mbledhjes, Shkëlqim Ibrahimi ka deklaruar se gjatë procedurës janë bërë një sërë shkeljesh, duke pretenduar se anëtarëve të Komisionit nuk u është vënë në dispozicion dokumentacioni i nevojshëm për kandidatët.
Sipas tij, mungonin CV-të e kandidatëve, deklaratat nën betim, deklaratat mbi të kaluarën kriminale, dëshmitë për përvojën menaxheriale të vërtetuara përmes vërtetimeve të punës ose Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), si dhe dokumentet e tjera përcjellëse që do të mundësonin verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore.
Ai ka ngritur po ashtu shqetësimin se përbërja e Bordit nuk e plotëson kriterin e barazisë gjinore, duke paralajmëruar se kjo mund të krijojë probleme edhe në procedurat e akreditimit të ndërmarrjes. Ky shqetësim është evidentuar edhe në procesverbal, ku Ibrahimi kishte deklaruar se nuk posedonte asnjë dokument për kandidatët, përveç emrave të tyre, dhe se pa këtë dokumentacion nuk mund të verifikonte përvojën menaxheriale, kualifikimet profesionale dhe kriteret e pavarësisë së tyre.
Ndërkohë, kryesuesi i Komisionit, Nazmi Kelmendi, kishte arsyetuar propozimin për emërimin e Bordit të Përkohshëm me nevojën që ndërmarrja të mos mbetej pa organ drejtues pas përfundimit të mandatit të Bordit aktual, duke u thirrur në dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike. Ai kishte deklaruar gjithashtu se dokumentacioni për kandidatët do t’u vihej në dispozicion anëtarëve të Komisionit në kohë reale gjatë procedurës.
Vlen të theksohet se Nazmi Kelmendi është zyrtar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, partisë nën siglën e së cilës garoi në koalicion kryetari i Komunës së Mitrovicës, ndërsa Elfate Bahtiri vjen nga radhët e Partisë Guxo, e cila udhëhiqet nga Faton Peci. Në anën tjetër, Shkëlqim Ibrahimi është përfaqësues i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)./Mitropol/








