Premium Store
02KOSOVËLAJME

E turpshme: Qeverisja e Pecit shkarkon djalin e dëshmorit Xhevat Jusufi për ta emëruar kandidaten e vet në krye të Stacionit të Autobusëve

Qeverisja komunale në Mitrovicë ka bërë një tjetër lëvizje në drejtimin e “kapjes” së ndërmarrjeve publike lokale.

Blerta Çeliku është emëruar ushtruese e detyrës së kryeshefes së Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” në Mitrovicë.

Dukato 1

Çeliku, ishte kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e subjektit politik GUXO në zgjedhjet lokale, ndërsa tash i është besuar drejtimi i një prej ndërmarrjeve më të rëndësishme publike në qytet.

Çeliku vie si U.D kryeshefe në vendin e ish-kryeshefit, Esat Jusufi, të birit të dëshmorit Xhevat Jusufi.

Esat Jusufi vazhdonte që të mbante postin e kryeshefit pas skadimit të mandatit zyrtar dhe i njejti do mund të vazhdonte në këtë pozitë deri në emërimin e kryeshefit të ri nëpërmjet konkursit të rregullt, pa pasur nevojë të bëheshin ndryshime të përkohshme që të rahatohen emrat e ish-kandidatëve të GUXO-s për asamble komunale e të cilët dështuan të zgjidheshin në mungesë të mbështetjes qytetare.

Ky emërim vjen pak ditë pasi Komisioni Komunal i Aksionarëve kishte emëruar Bordin e Përkohshëm të Drejtorëve të Stacionit të Autobusëve me persona të lidhur me Guxo-n dhe Pecin.

Sipas burimeve të Mitropol, vendimi për emërimin e Çelikut është marrë nga struktura drejtuese e ndërmarrjes, me mbështetjen e qeverisjes aktuale komunale të udhëhequr nga kryetari Faton Peci.

Ky emërim pritet të ngjallë reagime politike, veçanërisht nga opozita lokale, e cila vazhdimisht ka ngritur akuza për ndikim politik në ndërmarrjet publike komunale.

Mes tjerash, sot është emëruar edhe Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të NPL “Tregu”. Të gjithë drejtorët e emëruar janë figura me prapravijë politike.

Mes emrave të emëruar është një ish-kandidat i GUXO-s që dështoi të siguroj votat për Asamble, dy anëtarë të partive të koalicionit dhe një ish-drejtor komunal.

Ndryshe, Mitropol kishte raportuar ekskluzivisht edhe për emërimin e Bordit të ri të Drejtorëve të Përkohshëm në ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve”./Mitropol/

Dukato 1