Risi në Gjermani: Në tabelat zyrtare të orareve të lutjeve u shtua për herë të parë edhe ora e namazit të xhumasë në një xhami

Në qytetin Penzberg, rreth 50 kilometra larg Mynihut, për herë të parë në tabelat e vendosura në hyrjet e qytetit, ku shënohen oraret e shërbesave fetare, është përfshirë edhe ora e namazit të xhumasë në një xhami, raporton DW, transmeton Mitropoo.
Këto tabela janë përdorur që nga viti 1960 dhe deri më tani tregonin vetëm oraret e meshëve të kishave katolike dhe protestante të qytetit. Praktika e re në Penzberg, një qytet me rreth 17 mijë banorë, konsiderohet si shembulli i parë zyrtar i këtij lloji në Gjermani. Në këtë qytet jetojnë rreth 800 myslimanë.
Në një prononcim për DW në gjuhën turke, imami shqiptar i Bashkësisë Islame të Penzbergut, Benjamin Idrizi, tha se ideja lindi gjatë një takimi të përbashkët mes komunës dhe përfaqësuesve të bashkësive katolike, protestante dhe islame.
Sipas tij, përfaqësuesit e kishave propozuan rinovimin e tabelave ekzistuese, ndërsa ai sugjeroi që në tabelat e reja të përfshihej edhe ora e namazit të xhumasë.
“Propozova që në tabelat e reja të vendosej edhe ora e namazit të xhumasë. Kryetari i komunës dhe të dy priftërinjtë e mbështetën qartë këtë ide dhe e realizuam së bashku”, tha Idrizi.
Të martën u vendos tabela e parë në hyrje të qytetit, ndërsa së shpejti edhe tri tabela të tjera do të vendosen në hyrjet e tjera. Kostoja e tyre është mbuluar bashkërisht nga të gjitha komunitetet fetare.
Idrizi theksoi se ky është rasti i parë zyrtar i njohur në Gjermani.
“Nuk dimë për ndonjë qytet tjetër ku oraret e lutjeve të bashkësive katolike, protestante dhe myslimane të jenë të vendosura së bashku në të njëjtën tabelë zyrtare”, u shpreh ai.
“Një shenjë e dukshme e respektit dhe barazisë”
Sipas Idrizit, tabela e re nuk është vetëm një mjet informues, por edhe një simbol i dukshëm i kulturës së bashkëjetesës që është ndërtuar ndër vite në qytet.
“Këto tabela janë një shenjë e dukshme e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe kulturës së bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve fetare”, tha ai.
Ai shtoi se xhamia funksionon me një qasje të hapur dhe transparente. Hutbja e namazit të xhumasë mbahet në gjuhën gjermane dhe xhamia është e hapur për të gjithë.
“Adhurimi është i hapur për të gjithë. Çdo njeri, pavarësisht nëse është mysliman apo jo, mund të vijë në xhaminë tonë”, deklaroi imami.
Idrizi tha se reagimet në qytetin me rreth 800 myslimanë kanë qenë kryesisht pozitive dhe se tabela shihet si një rezultat i natyrshëm i bashkëjetesës shumëvjeçare.
Megjithatë, ai bëri të ditur se në rrjetet sociale, krahas komenteve pozitive, ka pasur edhe shumë komente me gjuhë urrejtjeje dhe përmbajtje antimuslimane.
“Kjo tregon se rrjetet sociale nuk pasqyrojnë gjithmonë atmosferën reale që ekziston në qytet”, vlerësoi ai.
Benjamin Idrizi, i lindur në Shkup, shërben si imam i Shoqatës së Bashkësisë Islame të Penzbergut që nga viti 1995. Duke folur për rëndësinë e kësaj nisme për shoqërinë, ai tha:
“Hapja e dukshme krijon besim, takimet zvogëlojnë paragjykimet, ndërsa respekti i ndërsjellë forcon solidaritetin shoqëror. Komunitetet fetare në Penzberg kanë vite që punojnë së bashku për këtë.”
Në tabela, orari i namazit të xhumasë është vendosur me orar fiks për stinën e verës dhe dimrit: në verë në ora 12:30, ndërsa në dimër në 13:30.
Edhe pse namazi i xhumasë zakonisht falet sipas pozitës së diellit, në këtë rast orari është përcaktuar duke marrë parasysh orarin e punës së besimtarëve. Kjo praktikë zbatohet në shumë xhami në Gjermani, por vetëm për namazin e xhumasë./Mitropol/







