Nuk u pajtua me gjobën, e futi dorën në veturën e Policisë për t’ua marrë dokumentet në Vushtrri – 46 vjeçarit A. Asllani i hidhet sprej në sy

Një kontroll rutinë i Policisë në rrugën nacionale Vushtrri–Smrekonicë ka përfunduar me procedurë penale ndaj një 46-vjeçari, i cili dyshohet se pengoi zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është A. Asllani rreth 46-vjeçar.
Sipas informacioneve, Policia e Trafikut kishte ndaluar një veturë Audi me targa vendore, pasi drejtuesi dyshohet se kishte lëvizur në shiritin për ndalje emergjente.
Pasi u njoftua se do të gjobitej, do t’i shqiptoheshin dy pikë negative dhe masa mbrojtëse prej tre muajsh, i dyshuari dyshohet se doli nga vetura, iu afrua automjetit zyrtar të Policisë dhe refuzoi të bashkëpunonte me zyrtarët.
Sipas dëshmitarëve, ai futi dorën përmes dritares së veturës zyrtare dhe mori dokumentet e tij, ndërsa refuzoi t’ua kthente policëve, pavarësisht urdhrave të tyre.
Për shkak të rezistencës së vazhdueshme, zyrtarët policorë përdorën sprej policor, ndërsa i dyshuari u shoqërua në Stacionin Policor në Vushtrri.
Pas intervistimit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij u iniciua rasti për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, ndërsa ai u lirua në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








