Me pushkë e pistoleta në pyll – arrestohen tre persona në Zubin Potok për gjueti të paligjshme

Një gjueti e kundërligjshme është ndërprerë nga policia të dielën në fshatin Kërligatë të Zubin Potokut, pasi një pylltar gjatë patrullimit ka hasur në tre persona të armatosur që po vepronin në mënyrë të dyshimtë në zonë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rasti ka ndodhur rreth orës 12:30, kur pylltari ka njoftuar se në pyll ishte takuar me tre persona që po lëviznin me një veturë të tipit “Opel Frontera”.
Në vendin e ngjarjes janë identifikuar Veton Hasani rreth 32-vjeçar, Fidan Selimi rreth 28-vjeçar dhe Valon Selimi rreth 35-vjeçar.
Pas një debati të shkurtër, palët janë paraqitur në Stacionin Policor të Zubin Potokut, ku tre të dyshuarit janë shoqëruar dhe kanë dorëzuar vullnetarisht armët që kishin me vete.
Nga kontrolli janë sekuestruar katër armë zjarri dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm, konkretisht:
Pushkë gjahu Çifsan cal.12mm, prodhim turko-belg, me 5 fishekë, Pushkë gjahu Hatsan Escort Magnum Supreme cal.12mm, me 5 fishekë, Pistoletë Sarsilmaz cal.9x19mm, me 11 fishekë, Pushkë gjahu Nirvana SA cal.12mm, me 4 fishekë.
Pas intervistimit të tyre, me urdhër të Prokurorit Kujdestar, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj tyre është hapur rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Gjueti e kundërligjshme”.
Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse personat e përfshirë kanë qenë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në zonat pyjore të veriut të vendit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.








