Lëvizja për Rikthim mashtron për vënien e gurthemelit së kishës katolike në Zogaj të Vushtrrisë

Vendosja e gurit që “Lëvizja për Rikthim” e cilësoi si gurthemel të Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj të Vushtrrisë sot, një ditë para 18 gushtit për kur ishte paralajmëruar një veprim i tillë, është përcjellur me reagime të forta dhe kundërshtime nga banorët e fshatrave përreth, ndërsa çështja është shoqëruar edhe me monitorim të Policisë së Kosovës, njofton Mitropol.
Sipas informacioneve që ka siguruar Mitropol nga burime të afërta me zhvillimet, banorët e Dumnicës së Epërme, Dumnicës së Poshtme, Dumnicës së Llugës, Zagorit dhe Samadrexhës kanë dorëzuar një peticion me 420 nënshkrime, përmes të cilit kundërshtojnë vendosjen e gurthemelit dhe ndërtimin e objektit fetar në parcelën ku është planifikuar kisha.
Banorët, sipas burimeve, kishin paralajmëruar se në rast të vendosjes së gurthemelit më 18 gusht do të dalin në rrugë dhe do të bllokojnë qarkullimin, duke kundërshtuar çdo tentativë për ndërtimin e objektit, andaj sipas të njejtave burime, një grup prej 12 personash ka dalë sot në teren dhe kanë vendosur simbolikisht një gur, një ditë para datës që kishin paralajmëruar.
Mitropol mëson se lidhur me situatën janë zhvilluar edhe takime mes institucioneve relevante.
Sipas burimeve të Mitropol, në takime është diskutuar edhe çështja e dokumentacionit dhe lejeve të nevojshme për ndërtimin e objektit fetar.
Burimet konfirmojnë se Ipeshkvia e Kosovës dhe palët e përfshira në projekt nuk janë pajisur me leje ndërtimore nga Komuna e Vushtrrisë.
Një tjetër çështje që është ngritur, sipas të njëjtave burime, lidhet me statusin e parcelës. Sipas tyre, toka ku synohet të ndërtohet objekti është tokë bujqësore dhe, për këtë arsye, ndërtimi i një objekti të tillë apo edhe e ndonjë objekti banimi aty, nuk është i lejuar sipas ligjeve në fuqi
Policia ndaloi tubimet e të dyja palëve
Sipas informacioneve të siguruara nga Mitropol, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë, lidhur me këtë çështje ka marrë vendim që të mos zhvillohen tubime nga asnjëra palë, meqë njëra palë ka mungesë të lejeve përkatëse, por edhe për shkak të tensioneve dhe reagimeve potenciale të banorëve mund të rrezikohej siguria publike dhe të mund të kishte përplasje apo akte dhune.
Banorët që kundërshtojnë ndërtimin e kishës kishin paralajmëruar më herët protestë dhe bllokim të rrugëve më 18 gusht, ndërsa edhe pala që synon ndërtimin e objektit kishte planifikuar aktivitetin ceremonial.
Mitropol mëson se Policia e Kosovës ka qenë duke monitoruar situatën në terren tash e disa ditë, për shkak të paralajmërimeve dhe tensioneve të krijuara rreth parcelës.
Sipas burimeve të Mitropol, gjatë ditës së sotme rreth dhjetë persona kanë qënduar në parcelën ku është planifikuar ndërtimi i kishës.
Aty në parcelë është vendosur simbolikisht një gur, i cili më pas në njoftimin e “Lëvizjes për Rikthim” është paraqitur si gurthemeli i kishës.
Sipas burimeve të Mitropol, në terren nuk ka pasur gërmime të tokës dhe nuk është kryer ndonjë punë ndërtimore konkrete.
Kjo ndodhi vjen në një kohë kur, aktiviteti ishte i ndaluar për shkak të mungesës së lejeve dhe vlerësimit policor për rrezikun e sigurisë.
“Lëvizja për Rikthim” gënjen se vendosi gurthemelin
Në njoftimin e publikuar sot, “Lëvizja për Rikthim” bëri të ditur gënjyeshëm se, nën kujdesin e Ipeshkvisë së Kosovës, në orën 13:00 është vendosur gurthemeli i Kishës Katolike “Shën Flori dhe Lauri” në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, në prani të dhjetëra besimtarëve katolikë.
Sipas arsyetimit të tyre, për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme në Zogaj, Mesha e Shenjtë dhe ceremonia e pagëzimeve do të zhvillohen më 18 gusht në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.
Nga ana tjetër, Bashkësia Islame e Vushtrrisë, më 28 korrik, kishte kërkuar transparencë lidhur me iniciativën, duke shprehur shqetësim për ndërtimin e objektit dhe duke pretenduar se në zonën ku parashihej ndërtimi nuk ka banorë të besimit katolik.
Ndërkohë, më 30 korrik, “Iniciativa për Angazhim Publik” kishte pretenduar se për objektin nuk ishte aplikuar për leje ndërtimore dhe kishte paralajmëruar veprime ligjore ndaj Komunës dhe Inspektoratit nëse nuk ndërhyhej.
Më 14 gusht, banorët e Dumnicës së Epërme, Dumnicës së Poshtme, Dumnicës së Llugës, Zagorit dhe Samadrexhës paralajmëruan protestë për 18 gusht dhe bllokim të rrugëve në këto zona, porse diçka e tillë nuk u aprovua nga Policia.
Kujtojmë se në lidhje me procesin e vënies së gurthemelit ishte paralajmëruar një prani masive prej 2,500 personash, duke përfshirë arbëreshët e Italisë, por në ceremoninë e sotme që u mbajt një ditë para paralajmërimit zyrtar, nuk pati as 20 persona./Mitropol/








