Restoranti që sot u mbyll nga Fitore Pacolli, më parë vizitohej nga Kurti i cili pritej si “mysafir i veçantë”

Restoranti dhe hoteli “Liqeni i Dukagjinit”, të cilin Inspektorati i Mjedisit e ka urdhëruar sot ta mbyllë për shkak të shkeljeve të pretenduara të legjislacionit mjedisor, në të kaluarën ishte vizituar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti kishte drekuar në këtë restorant, i cili ndodhet në zonën e Liqenit të Radoniqit, ndërsa në faqen zyrtare të biznesit ishte publikuar edhe një video nga vizita e tij, shkruan Reporteri.
Në pamjet e publikuara nga “Liqeni i Dukagjinit”, Kurti shihet duke drekuar në restorant dhe duke pranuar një dhuratë nga pronarët e tij.
Në postimin shoqërues, restoranti e kishte prezantuar Kurtin si “mysafir të veçantë”.
Vizita e Kurtit në këtë biznes vjen në vëmendje pas njoftimit të ministres në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, se Inspektorati i Mjedisit ka urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit.
Pacolli ka deklaruar se biznesi ka funksionuar “në kundërshtim të plotë me legjislacionin mjedisor” dhe se ka qenë në shkelje të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit, si dhe akteve të tjera nënligjore.
Sipas saj, aktiviteti ka rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.
Ministria, sipas Pacollit, ka kërkuar hetim të plotë të rrethanave dhe përgjegjësve që kanë mundësuar funksionimin e këtij biznesi, përfshirë edhe veprimet e ish-zyrtarëve përgjegjës.








