
18-vjeçarja e dyshuar për sulmin fizik ndaj një 12-vjeçareje në Mitrovicë është ndaluar për 48 orë, mëson ekskluzivisht “Mitropol” nga burime brenda Policisë së Kosovës.
Sipas burimeve të “Mitropol”, pas veprimeve të ndërmarra nga Njësia e Hetimeve e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Jugut, e dyshuara është ndaluar për 48 orë, në kuadër të procedurave lidhur me rastin.
Rasti ka të bëjë me ngjarjen e 21 gushtit, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, tek parku i qytetit në Mitrovicë, ku 12-vjeçarja dyshohet se është sulmuar fizikisht nga 18-vjeçarja.
Pas raportimit të rastit nga “Mitropol”, Njësia e Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Jugut kishte kontaktuar redaksinë për detaje shtesë, ndërsa Policia më pas kishte shoqëruar në stacion policor të dyshuarën, viktimën dhe një dëshmitare të rastit.
Të përfshirat ishin intervistuar në stacionin policor, ndërsa hetimet kanë vazhduar për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.
“Mitropol” raportoi se incidenti dyshohet se ishte filmuar, ndërsa videoja dyshohet se më pas iu ishte dërguar edhe një vajze tjetër, e shoqëruar me kërcënimin se një fat i ngjashëm mund ta presë edhe atë.
Duke qenë se në rast janë të përfshira të mitura, “Mitropol” nuk publikon të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tyre apo të shkollës ku ato ndjekin mësimin.
Sipas burimeve brenda Policisë, procedurat lidhur me rastin po vazhdojnë, ndërsa hapat e mëtejmë do të varen nga veprimet e organeve të drejtësisë./Mitropol/







